Rend dhe Ligj

Kapet në Belgjikë 48-vjeçari shqiptar që fshihej si grek. Ishte dënuar në Itali për trafik droge

Gazeta Si- Një 48-vjeçar shqiptar i super-kërkuar nga drejtësia italiane dhe i dënuar për trafik droge, është kapur në Liezh të Belgjikës.

Sipas mediave italiane, Ilir Pere, i lindur në Gramsh kishte marrë identitetin e një personi nga Peloponezi i Greqisë, atë të Nikolaos Liarakos, me të cilin lëvizte në botë për të trafikuar drogë e për të shitur armë.

Hetuesit italianë e gjetën në Belgjikë, falë një punë të mbështetur kryesisht në inteligjencën policore dhe ai ndodhet aktualisht i arrestuar në Liezh.

Prokurori i Catanzaro-s në Itali, Vincenzo Capomolla, së bashku me Giancarlo Novelli dhe prokuroren e Antimafies, Stefania Paparazzo, shkuan për ta marrë në pyetje në Belgjikë.

Ilir Pere duhet të vuajë një dënim përfundimtar në Itali, prej 28 vitesh burg dhe rezulton nën hetim nga prokuroria e Catanzaro në operacionin e koduar “Gentleman 2”, që rindërton prapaskenat e narko-trafikut të vënë në jetë mes Sibaritide (provincë e Cosenza-s) dhe Gjermanisë.

Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, i shumëkërkuari shqiptar për hetuesit italianë ka pranuar se është Ilir Pere dhe jo Nikolaos Liarakos.

Ai ka pranuar po ashtu se ka përdorur për një kohë të gjatë telefonat e enkriptuar dhe platformën “Sky ECC” për të komunikuar me bashkëpunëtorët e tij në Itali, por duke mohuar se ka pasur një rol të veçantë në botën e narko-trafikut.

Po ashtu, ka pranuar se ka blerë armë të fuqishme, por vetëm sepse donte të hakmerrej për vdekjen e vëllait, që rezulton i vrarë e i djegur nga shqiptarë të tjerë.

Sa i përket telefonave të enkriptuar, ka shpjeguar se është e mundur t’i blesh nëpërmjet furnizuesve turq e pakistanezë, me anë të rekomandimit të personave të duhur.

Me hetuesit italianë, mësohet se Pere preferoi të fliste në italisht dhe jo në shqip. Ilir Pere nuk është emër i panjohur në fakt si në Itali ashtu sikurse edhe në Shqipëri.

Në vitin 2016, së bashku me dy shqiptarë të tjerë, Tesi Basho dhe Mikel Hasanbelliu, u arratisën nga burgu i Rebibbia, në Romë. Basho vuante dënimin për vrasje, ndërsa Hasanbelliu për shfrytëzim prostitucioni.

Arratisjen ata e realizuan duke prerë hekurat e dritares së qelisë me sharrë, e më pas zbritën me çarçafët e improvizuar si litar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë