Në sajë të operacionit të koduar “Shënjestra”, Policia e Fierit ka vënë në pranga tre persona me lidhje familjare me njëri-tjetrin, të cilët akuzohen se shpërndanin droga të forta.
Tre shtetasit ushtronin aktivitetin kriminal të përpunimit dhe shitjes së lëndëve të forta narkotike Heroinë dhe Kokainë në qytetin e Fierit dhe në qytete të tjera.
Policia bën me dije se janë vënë në pranga shtetasit:
I. T., 47 vjeç, banues në Bishanak, Fier (i dënuar më parë për grabitje me dhunë).
G. T., 22 vjeç (djali i I. T), banues në Bishanak, Fier.
T. T, 51 vjeç (kunata e I. T), banuese në Bishanak, Fier.
Po ashtu janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 2 shtetas të tjerë dhe vijojnë hetimet për të parë implikimin e tyre në këtë veprimtari kriminale.
Gjithashtu u shpall në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit Z. T., 55 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor i shtetasve të arrestuar për këtë veprimtari kriminale.
Gjatë kontrollit në banesat e këtyre shtetasve u gjet dhe u sekuestrua rreth 1,4 kg lëndë narkotike e dyshuar Heroinë dhe rreth 1 kg lëndë narkotike e dyshuar Kokainë. Një pjesë e Heroinës ishte e ndarë në doza të vogla gati për shitje.
Gjithashtu në cilësinë e provës materiale u sekuestrua dhe 1 armë gjahu pa leje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Nxitja për përdorimin e drogës” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




