Ka ndodhur

Kapen në Livorno mes bananeve ‘zvicerane’ 148 kg kokainë, arrestohen 3 korrierët shqiptarë

Gazeta Si - Ata kishin hyrë në portin e Livornos për të mbledhur “mallin”: 148 kg kokainë që kishte mbërritur nga Ekuadori. Por tre korrierët e drogës, me kombësi shqiptare, u kapën dhe arrestuan nga Guardia di Finanza.

Sipas mediave italiane, droga u gjet në një kontejner që mbërriti nga porti i Guayaquil me një ngarkesë banane me destinacion Zvicrën.

Tre shqiptarët e arrestuar ndodhen në një burg në në Livorno ndërsa kokaina është sekuestruar. Autoritetet portuale, vepruan në bazë të sinjalizimeve të ndara me Agjencinë Doganore.

Me një skaner u identifikuan 139 pako brenda kontejnerit, më pas policia qëndroi në pritje për disa orë për të zbuluar se kush do të vinte të tërhiqte “mallin”.

Korrierët nuk kanë bërë rezistencë dhe janë arrestuar menjëherë. Ata nuk janë banues në Itali, nuk kishin dokumente dhe ishte e vështirë për t'i identifikuar.

Dy prej tyre janë vëllezër. Gjithnjë sipas mediave italiane, ata kishin marrë një shpërblim prej disa mijëra eurosh nëse do të realizonin me sukses tërheqjen e lëndës narkotike.

Gjykata e Livornos ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për të tre shqiptarët. Kjo është padyshim një sasi jashtëzakonisht e rëndësishme, e sekuestruar në kuadër të një prej operacioneve të shumta në luftën kundër trafikut të drogës.

Vetëm gjatë vitit 2023 në portin e Livornos u kapën 520 kilogramë kokainë, e cila mund të kishte sjellë në treg rreth 350 milionë euro.

Droga nuk ndalet në qytetin toskan, por nga këtu shpërndahet nga trafikantë në Itali dhe jashtë saj. Në Gadishull, këto sasi të mëdha kokaine zakonisht përfundojnë kryesisht në aksin Milano-Brescia dhe në kryeqytetin Romë, një pjesë shkon në Toskanë.

Ndërsa në verë tragetet nga Livorno favorizojnë shpërndarjen e mëtejshme edhe për Sardenjën, drejt Olbias dhe Kosta Smeraldas.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë