Lajme

Kapen me pasaporta të dikujt tjetër në Rinas, pranga 3 klandestinëve

Policia Kufitare e Rinasit ka goditur një tjetër operacion për parandalimin e kalimit të paligjshëm të kufirit.  

Policia ka vënë në pranga tre shtetas nga Gana dhe Kameruni, si dhe shpallen në kërkim dy të tjerë nga Franca, pasi donin të kalonin kufirin me dokumente me ngjashmëri nga aeroporti i Rinasit drejt vendeve të BE-së.

Policia thotë se janë vënë në pranga shtetasit me inicialet J. B., 21 vjeç, lindur dhe banues në Kamerun (organizator); B. A., 34 vjeç, lindur dhe banues në Gana; J. B., 23 vjeç, lindur dhe banues në Kamerun.

Ndërkohë janë shpallur në kërkim shtetasit francezë D. I. dhe B. Y.

Siç njofton policia, shtetasi B. A., kundrejt shpërblimit monetar, ka siguruar nga shtetasi J. B., një pasaportë franceze që i përkiste shtetasit D. I. dhe duke përfituar nga ngjashmëria fizike me këtë shtetas ka tentuar të udhëtojë me këtë pasaportë nga aeroporti i Rinasit në drejtim të vendeve të BE-së.

Po nga hetimet është mësuar se 23-vjeçari J. B., kundrejt shpërblimit monetar ka siguruar nga 21-vjeçari J. B., një kartë identiteti franceze që i përket shtetasit B. Y. dhe duke përfituar nga ngjashmëria fizike me këtë shtetas ka tentuar të udhëtojë me këtë pasaportë nga aeroporti i Rinasit në drejtim të vendeve të BE-së.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar pasaporta e karta identiteti që do përdoreshin me anë të ngjashmërisë për të kaluar kufirin drejt vendeve të BE-së.

Materialet proceduriale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë