Një sasi prej mbi 10 kg kokainë është zbuluar sërish këtë të martë në Portin e Durrësit në një nga kontejnerët e firmës “Alba Exotic Fruit”.
Policia bën me dije se në kuadër të operacionit të koduar “Rada”, është sekuestruar 10 kg e 185 gramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë.
Sipas policisë, është ushtruar kontroll i imtësishëm në dy prej kontejnerëve të ngarkuar me banane që kishin ardhur nga Ekuadori pikërisht për llogari të firmës “Alba Exotic Fruit”.
Droga është zbuluar në pjesën fundore, te kapakët e motorëve frigoriferikë të dy kontejnerëve.
Task Forca, e cila operon në Portin e Durrësit dhe Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit vijojnë veprimet hetimore, nën drejtimin e SPAK-ut.
Kjo është hera e gjashtë që sekuestrohet kokainë në port në kontejnerët me banane për llogari të kësaj firme. Hera e fundit ka qenë data 7 shtator, ku u kapën nga policia 7.7 kg kokainë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.