Ka ndodhur

Kapen 2.2 tonë kokainë në Peru, grupi kriminal drejtohej nga dy shqiptarë

Gazeta Si - Një sasi prej 2.2 tonë kokainë që do të dërgohej nga deti në Holandë, është kapur nga autoritetet policore në Peru.

Droga ishte fshehur në kanaçe asparagusi, ndërsa janë arrestuar shtatë peruanë dhe u lëshuan urdhër-arreste ndaj dy shqiptarëve.

Mediat lokale bëjnë me dije se shqiptarët dyshohet se janë “kokat” e grupit criminal dhe janë shpallur në kërkim, pa cituar emrat e tyre.

“Ne kemi sekuestruar dy tonë e dyqind kilogramë kokainë që ishte kushtëzuar për t’u transferuar nga deti në Holandë” nga porti i Callao, fqinj Lima, i tha AFP kolonel César Echevarría, kreu i Drejtorisë Kundër Drogës.

Echevarría bëri me dije se kjo organizatë e trafikut të drogës drejtohej nga dy shtetas shqiptarë dhe se droga do të dërgohej në portin e Roterdamit, në Holandë.

“Ne po koordinojmë me seksionin e]Policisë Ndërkombëtare për të gjetur dy shtetas shqiptarë që kanë mbërritur në vendin tonë si lehtësues logjistik dhe koordinim me mafien shqiptare”,  shtoi ai.

Droga ishte e kamufluar në kanaçe me asparagus për eksport që u transportuan në një kamion nga Trujillo në Callao, ku u kap të premten, shpjegoi ai.

“Kjo organizatë planifikoi të paguante me monedha virtuale bitcoin”, shtoi Echevarría.

Këtë vit, policia peruane ka sekuestruar rreth 35 tonë drogë. Peruja është një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të kokainës, me rreth 400 tonë në vit, sipas shifrave zyrtare.

Përveç kësaj, ajo është, së bashku me Bolivinë, një nga prodhuesit më të mëdhenj të gjetheve të kokës, lëndë e parë për kokainën, pas Kolumbisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë