Futboll

Kaosi me vendimet e VAR-it, në Belgjikë vendoset që një ndeshje të riluhet!

Gazeta Si – VAR-i po ngjall gjithmonë e më shumë diskutime kudo në botën e futbollit. Një rast i veçantë, që me siguri do të marrë shumë vëmendje, vjen nga Belgjika, ku pas një gabimi të arbitrave dhe VAR-it, një ndeshje është vendosur të përsëritet.

Bëhet fjalë për sfidën e Pro League mes Anderlehtit dhe Genkut, dy prej skuadrave kryesore belge. Ndeshja e 23 dhjetorit të kaluar, sipas vendimit të këshillit disiplinor të ligës, do të riluhet.

Genku kishte nisur një betejë ligjore, pas një gabimi në gjykimin e ndeshjes në fjalë. Pas një penalltie të humbur nga Brajan Heinen, Sor shënoi golin e avantazhit të përkohshëm. Arbitri, i thirrur në VAR, e anuloi golin, sepse Sor kishte hyrë në zonë shumë shpejt.

Por në të njëjtën kohë kishin hyrë edhe dy lojtarë të Anderlehtit dhe sipas rregullores, penalltia duhej përsëritur. Genku hapi çështje për vendimet arbitrare dhe VAR-in tani ka fituar të drejtën që ndeshja të riluhet. Anderlehti, që kishte fituar 2-1, nuk është dakord dhe ka bërë rekurs.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë