Çështja “Shullazi” ka shkaktuar debate të shumta në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe ditën e sotme është shkarkuar nga detyra kreu i Drejtorisë së Inspektimit në Prokurori, Sokol Stojani.
Një ditë më parë, kryeprokurorja Arta Marku urdhëroi procedimin disiplinor për 10 prokurorët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë dhe transferimin e tre të tjerëve në rrethe, pasi refuzuan të merrnin në dorëzim hetimin e çështjes Shullazi. Sipas burimeve kryeprokurorja Marku kishte urdhëruar kreun e Drejtorisë së Inspektimit në Prokurori Sokol Stojani që të hetonte 10 kolegët e tij, por ky i fundit nuk ka pranuar. Pavarësisht se Stojani është caktuar në këtë detyrë nga vetë Marku, ai ka pasur një sërë pakënaqësish madje edhe debate me kryeprokuroren.
Prokurorët për të cilët u vendos hetim disiplinor:
Olsian Çela, Sonila Muhametaj, Besim Hajdarmataj, Përparim Kullurin, Behar Dibrën, Arenc Çelën, Edvin Kondilin, Pranvera Pustinën, Eugen Beçin dhe Blerim Tominajn
Prokurorët e transferuar në rrethe:
Olsian Çela- Transferohet në Berat
Sonila Muhametaj- Transferohet në Pukë
Besim Hajdarmataj-Transferohet në Pogradec
Po ashtu Prokuroria e Krimeve të Rënda bën me dije se është caktuar grupi i prokurorëve që do të përfaqësojnë në gjykim çështjen “Shullazi”, dy prej të cilëve janë Donika Prela dhe Gentian Osmani. Ende mbetet e paqartë se kush do të jenë emrat e tjerë.
“Në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë përcaktohet grupi i prokurorëve që do të përfaqësojnë në gjykim çështjen në ngarkim të të pandehurve Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Endrit Qyqja, Endrit Zela dhe Blerim Shullazi. Emrat e prokurorëve do të bëhen publikë në seancën gjyqësore të radhës”, thuhet në njoftimin zyrtar të këtij institucioni.
Seanca e pretencës do të mbahet më 25 shtator, ndërkohë kryeprokurorja e Krimeve të Rënda, Donika Prela, ka kërkuar ndërhyrjen e Arta Markut për të gjetur prokurorë të rinj.
Banda e Shullazit akuzohet për krijimin e grupit të strukturuar kriminal, kanosje për shkak të detyrës ndaj Mynyr Konit e Dhori Kules dhe shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie kundër Ylvi Beqjes për ish-hotel “Vollgën” në Durrës. Shullazi rrezikon deri në 15 vite burg për akuzat, po ashtu edhe anëtarët e bandës; Gilmando Dani, Besmir Shullazi, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.