Bota

Kaos në burgjet italiane, 6 gardianë plagosen në Torino. Trazira dhe në Biella, Pescara e Taranto

Gazeta Si - Gjashtë punonjës të policisë së burgjeve, me detyrë në burgun e Torinos mbetën të plagosur jo rëndë në tentativë për të qetësuar trazirat që shpërthyen të enjten në departamente të ndryshme të institucionit dhe vijuan edhe gjatë natës.

Dy oficerë të tjerë janë asfiksuar nga tymi i zjarrit. Të plagosurit janë transportuar në spital dhe kanë dalë me prognozë nga 7 deri në 15 ditë.

Ka pasur edhe një tentativë arratisjeje. Trazira ka pasur edhe në burgjet e tjera të Italisë, sin ë Biella, Pescara dhe Taranto. Në Parma, më 15 gusht, një i burgosur bëri vetëvrasje.

Trazirat në burgun e Torinos Incidentet, sipas asaj që raportojnë mediat italiane, kanë nisur në orët e para të pasdites së të enjtes, me një përleshje mes rreth dhjetë të burgosurve në katin e tretë të pavijonit B. Të burgosurit nuk kanë pranuar të kthehen në qeli dhe njëri prej tyre i vuri zjarrin një dysheku.

Ndërkohë në pavijonin C shpërtheu një protestë. Në katin e tretë, përveç refuzimit të hyrjes në qeli, të burgosurit dëmtuan orenditë, dritat e neonit (ato në seksionin 12) dhe sistemin e vëzhgimit me video.

Në katin e dytë u dogjën dyshekë dhe objekte të ndryshme. Në fillim është spërkatur dyshemeja me vaj gatimi për të penguar ndërhyrjen e efektivëve.

Për të përballuar situatën, u thirr në punë personeli që ishte i lirë nga detyra dhe u sollën agjentë edhe nga institucione të tjera të vuajtjes së dënimit nga Piemonte.

Gjatë trazirave ka pasur edhe një tentativë arratisjeje. Një njëzet e pesë vjeçar me origjinë marokene, duke përfituar nga konfuzioni, u ngjit në murin që kufizohet me oborrin dhe tentoi të arratisej.

Alarmi u ngrit menjëherë dhe i burgosuri u gjurmua teksa po kërkonte një hapësirë ose një mënyrë për të kapërcyer murin rrethues.

"Edhe në këtë rrethanë, - komenton Vicente Santilli, sekretar rajonal i sindikatës së policisë së burgjeve, “Sappe”, - vlerësimi ynë shkon për personelin e policisë së burgjeve, të cilët kanë treguar, nëse është ende e nevojshme, aftësinë e madhe që i dallon dhe i lejon shtetit të menaxhojë me profesionalizëm dhe aftësi në situata operacionale jashtëzakonisht komplekse dhe të rrezikshme".

Po ashtu, dy policë të burgjeve në detyrë në Biella u plagosën dje teksa po përpiqeshin të shuanin një mosmarrëveshje mes të burgosurve. Njëri prej tyre është goditur me stol, kolegu i tij është goditur me grusht në fytyrë dhe shpatull.

Vicente Santilli, sekretari rajonal i sindikatës, nënvizon se “kur situata u qetësua, dy agjentët u shoqëruan në spitalin lokal për trajtimin e nevojshëm”.

“Siç e kemi raportuar vazhdimisht, – deklaron Donato Capece, sekretari i përgjithshëm i sindikatës së policisë së burgjeve të Sapesë – këto janë ngjarje që destabilizojnë rendin, sigurinë dhe qetësinë e stafit që punon në burgun e Biellës”.

Në burgun San Donato në Pescara, mbrëmjen e 14 gushtit, 5 të burgosur me origjinë nga Maroku, tashmë promovues të situatave dhe dinamikave të tjera të ngjashme, u barrikaduan në protestë brenda qelisë së tyre, duke e shkatërruar atë totalisht dhe duke ndezur një zjarr.

Policët e burgjeve që ndërhynë, u sulmuan dhunshëm me grushte, shkelma e mjete rrethanore. Një nga 4 punonjësit e vuajtjes së dënimit që ndërhynë, u transportua në spital me shpatull të shembur dhe disa qepje në bërryl me prognozë 20 ditë. 4 oficerët e tjerë pësuan një, një traumë në dorë, një tjetër në shpatull dhe i katërti një frakturë në dorë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë