Dosja e Emiljano Shullazit dhe bashkëpunëtorëve të tij kanë futur në një situatë të pashembullt institucionin e Prokurorisë. Refuzimi në grup i 10 prokurorëve të Krimeve të Rënda për të marrë pjesë në shortin për dosjen e bujshme ka pasuar një efekt zinxhir rebelimesh në këtë institucion.
Pretenca, pra kërkesa e Prokurorisë drejtuar gjykatës se a duhet dënuar Emiljano Shullazi, apo jo dhe nëse duhet dënuar sa duhet të jetë masa, duhej të ishte dhënë që në datën 11 shtator. Por, në këtë datë, prokurori i çështjes, Eneid Nakuçi u sëmur dhe kërkoi leje 6-mujore.
Ky vendim i prokurorit Nakuçi detyroi drejtuesen e Prokurorisë për Krimet e Rënda, Donika Prela që të thërriste edhe njëherë hedhjen e shortit. Këtu kërkesa e saj është refuzuar në grup, madje burime jozyrtare nga ky institucion thonë se ka patur edhe përleshje fizike mes kryeprokurores për Krimet e Rënda, Donika Prela dhe prokurores në këtë institucion, Sonila Muhametaj. Në këtë situatë, Prela ka kërkuar ndërhyrjen e eprores së saj, Arta Markut.
Prokurorët Përparim Kulluri, Behar Dibra, Sonila Muhametaj, Olsian Çela, Edvin Kondili, Arenc Çela, Pranvera Pustina, Eugen Beçi, Besim Hajdarmataj dhe Blerim Tominaj refuzuan pjesëmarrjen në short. Për ta, refuzimi i pjesëmarrjes në short nuk ka asnjë shkelje.
Por, cilat janë shkeljet e disiplinës? Në vendimin për nisjen e masave disiplinore ndaj kësaj liste të prokurorëve, Arta Marku duket se i është referuar një udhëzimi të paraardhësit të saj, Adriatik Llalla. Udhëzimi mban numrin 3 të datës 29 dhjetor 2016 “Për shpërndarjen e çështjeve në Prokurori”. Gërma “C” e pikës 2 të këtij udhëzimi thotë tekstualisht se “në raste të veçanta, kur prokurori që ka hetuar dosjen ndodhet me leje, është transferuar, ose heq dorë, çështja i caktohet një prokurori tjetër me short”.
Nëse organet e reja të drejtësisë do të ishin ngritur, si Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, atëherë rruga ndëshkimore për prokurorët që refuzuan shortin do të ishte më e qartë. Megjithë mungesën e këtyre dy institucioneve, Arta Markun ka urdhëruar Drejtorinë e Inspektimit në Prokurori që të nisë procedurat disiplinore ndaj prokurorëve rebelë.
Këtu, kryeprokurorja ka hasur në një tjetër rebelim. Kreu i kësaj drejtorie, Sokol Stojani ka refuzuar që të hetojë kolegët e tij, çka sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë ka bërë që Arta Marku të urdhërojë menjëherë shkarkimin e tij nga ky pozicion, ndërsa tre prokurorë nga lista me 10 emra që refuzuan shortin i transferoi në prokuroritë e rretheve, përfshirë këtu edhe Besim Hajdarmatajn, prokurori që po hetonte dosjen “Tahiri”, që u transferua në Pogradec, ndërsa Sonila Muhametaj u transferua në Pukë.
Këtë të premte, veç njoftimit për shkarkimin e Stojanit, Prokuroria njoftoi edhe se është përcaktuar grupi i prokurorëve që do të përfaqësojnë në gjykim çështjen në ngarkim të Emiljano Shullazit, Gilmando Danit, Endrit Qyqjas, Endrit Zelas dhe Blerim Shullazit. Emrat e prokurorëve nuk bëhen publikë, por në njoftim thuhet se ata do të mësohen në seancën gjyqësore të radhës, që do të zhvillohet më 25 shtator.
Frikë nga Shullazi dhe Vettingu?
Prokurorët që refuzuan shortin për dosjen “Shullazi” e argumentuan vendimin e tyre duke thënë se kërkesa për hedhjen e shortit ishte një kërkesë e habitshme, pasi ata thonë se prokurorët Elisabeta Imeraj dhe Ened Nakuçi vazhdonin të ishin prokurorë të çështjes e për më tepër, prokurori Besim Hajdarmataj një ditë më parë dhe përmes një akti me shkrim kishte shprehur vullnetin Donika Prelës për të vazhduar përfaqësimin e çështjes “Shullazi”.
Por, burime nga prokuroria e lidhin vendimin e tyre me pasigurinë që shoqëron jo vetëm procesin ndaj Emiljano Shullazit, por edhe për vetë të ardhmen e këtyre prokurorëve në sistemin e drejtësisë.
Aktualisht, nga e gjithë lista me 10 prokurorët “rebelë”, askush prej tyre nuk ka kaluar në sitën e vettingut dhe ky refuzim mund të interpretohet edhe si refuzim i prokurorëve për t’u bërë pjesë e një dosje të bujshme, në një kohë që vetë nuk e kanë të sigurtë nëse pas disa muajsh do të jenë më në sistemin e drejtësisë apo jo.
Edhe ata që do të dalin të pastër nga vettingu, nuk e kanë të qartë pozicionin e tyre në drejtësinë e re, pasi vetë reforma në drejtësi, me ngritjen e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion parashikon shkrirjen e Prokurorisë për Krimet e Rënda.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.