Gazeta Si – Barush alias Bajram Bregu është personi që ka qëlluar një ditë më parë me armë zjarri në ajër në ajër në lagjen “Kiras” të Shkodrës, teksa policia i ishte vënë në ndjekje së bashku me një tjetër person, i cili është arrestuar.
Në njoftimin e saj, policia thotë se u arrestuan në flagrancë Ervis Baba, 43 vjeç, si dhe një 17-vjeçar, të dy banues në të njëjtën lagje.
Ndërkohë, në kërkim është shpallur Barush Bregu, 40 vjeç, i njohur si krahu i djathtë i Ibrahim Licit, me precedent për armëmbajtje pa leje, prodhim/shitje narkotikësh dhe vjedhje.
Gjatë ndjekjes, Bregu dyshohet se ka zbritur nga automjeti dhe ka qëlluar me pistoletë në ajër për të kanosur policinë. Arma me municion dhe automjeti tip “Volkswagen Seat” u sekuestruan nga policia.
Barush Bregu është shpallur në kërkim 1 ditë pas vrasjes së dyfishtë në Shkodër me autor Ragip Gilën, ngjarje e ndodhur më 8 shtator 2025.
Ai dyshohet si personi që i siguroi armën autorit, i cili la të vdekur Liridon Krajën dhe Armaldo Palin, ndërsa u plagos aksidentalisht kamerierja e lokalit. Shënjestër ishte Erogen Bajri.
Bregu është një emër i njohur për blutë e Shkodrës dhe me një të kaluar kriminale në fushën e narkotikëve, por jo vetëm. Prej vitesh, Bregu njihet një nga njerëzit kryesorë të vrasjeve për llogari të grupit Lici.
Në vitin 2012, ai ka ndryshuar emrin nga Bajram në Barush. 39-vjeçari është i dyshuar edhe si autor për ngjarje të tjera të rënda kriminale të ndodhura në qarkun Shkodër më parë, si dhe autor i dyshuar për “trafikim të lëndëve narkotike”.
Më 4 maj 2019, Bregu u arrestua në Komunën e Parisit në Tiranë, pasi rezultonte i dënuar me 4 vite burg për kultivim të bimëve narkotike, e kryer në bashkëpunim në vitin 2016, si dhe kishte masë sigurie “Arrest në burg”, për armëmbajtje pa leje.
Po ashtu, gjatë një aksioni në shtator 2018, pas vrasjes së Fatbardh Licit, në banesat e fisit Lici u gjet një armë zjarri automatike, e cila kishte gjurmët e gishtave të Bregut.
Bregu u arrestua në 2019-ën nga një operacion i RENEA-s me snajperë të vendosur në pika të larta të pallateve, e cila bastisi banesën ku fshihej i riu. Në pranga ra edhe Bajram Çekorja nga Shkodra, personi që e kishte ndihmuar të fshihej.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje