Japonezja Kane Tanaka, 118 vjeçe, e njohur zyrtarisht si personi më i vjetër në botë, do të mbajë flakën olimpike në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Ajo do të jetë një nga personat që do të mbajë pishtarin me flakën olimpike në rrugëtimin që ai do të bëjë në Japoni para Olimpiadës.
Tanaka do të përshkojë me karrigen e saj me rrota një distancë prej 200 metrash në zonën e Fukuoka, pranë shtëpisë së saj. Ajo do të mbajë pishtarin olimpik më 11 maj 2021.
“Ky është një mesazh i fortë shprese që duam të japim, që shkon përtej dramës globale që shkaktoi pandemia këtë vit”, thanë organizatorët e Olimpiadës. Deri më sot, personi më i vjetër në botë që ka mbajtur pishtarin olimpik është braziliania Aida Mendes, 107 vjeçe, në Olimpiadën “Rio 2016”.
Tanaka lindi shtatë vjet pas Olimpiadës së parë moderne në Athinë dhe në të njëjtin vit që vëllezërit Wright fluturuan me aeroplanin e parë me motor. Tokio do të shënojë Olimpiadën e 50-të – Verë ose Dimër – të jetës së saj. Ajo u njoh zyrtarisht si personi më i vjetër në botë në janar 2019, sipas Rekordeve Botërore të Guinness.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




