Gazeta Si - “Nëse i shihni, telefononi 112”. Ky është apeli i Komandës së Karabinierëve të Udines në Itali, të cilët dyshojnë te shqiptarët Edmond dhe Eduard Trushi, 38 vjeç, për vjedhjet e ndodhura muajt e fundit me teknikën “vrima në kornizë”.
Sipas mediave italiane, binjakët me origjinë shqiptare, janë specialistë autentikë: hapin një vrimë në objekt, më pas futin një tel me të cilin hapin derën ose dritaren dhe hyjnë fshehurazi në shtëpi për të vjedhur dhe grabitur.
LEXO EDHE:
Hajdutët binjakë nga Shqipëria, bëjnë lëmsh gjykatat italiane
Me këtë sistem ata kanë bërë qindra vjedhje vitet e fundit në Italinë e Veriut. Pasi janë dënuar dhe shpallur të pafajshëm disa herë, duke bërë lëmsh gjykatat italiane për shkak të ADN-së së njëjtë, policia e Udines lëshon apelin për qytetarët që të njoftojnë nëse i shikon, pasi dyshohet se ata i janë rikthyer “zakonit” të tyre të vjetër.
Pothuajse identikë
Problemi është se të dy janë praktikisht identikë (të njëjtën prerje flokësh dhe të njëjtat tatuazhe) dhe ishte shumë e vështirë të atribuohej në mënyrë specifike vjedhja vetëm me analizën e ADN-së, pasi gjurmët e tyre të mbetura në vendin e krimit dhanë rezultate të pasigurta.
Megjithatë, sipas një studimi të fundit nga Universiteti i Islandës, i cili konfirmon një analizë të mëparshme të vitit 2008, edhe binjakët identikë homozigotë, kanë disa dallime gjenetike.
Kjo u zbulua nga një studim i Universitetit të Islandës i publikuar në vitin 2021 në "Nature Genetics", sipas të cilit roli i faktorëve gjenetikë në dallimet midis binjakëve identikë është nënvlerësuar.
Dënimet
Falë edhe ngjashmërisë së ADN-së së tyre, ata ishin shpallur të pafajshëm tre herë, ishin “zhdukur” për një kohë të gjatë dhe menjëherë u quajtën “Binjakët Lupen” (një nofkë për një "hajdut zotëri", emër i një personazhi i marrë edhe nga një film francez, i krijuar nga Maurice Leblanc në 1905, por ndryshe nga dy shqiptarët që nuk hezituan kurrë të reagonin me dhunë kur u kapën herën e parë).
Pavarësisht nga teknikat më të sakta, analizat e gjurmëve të gishtërinjve të tyre, edhe pse binjakë homozigotë, mbeten të ndryshme.
Por lëvizjet e tyre të gjurmuara nga celularët dhe printimet, bënë të mundur ndalimin e tyre dhe dënimin në vitin 2020 nga Gjykata e Mantovës me 2 vjet dhe dy muaj burg.
Më parë, ata kishin marrë dy dënime të tjera në Pordenone: i pari me 6 vjet e 10 muaj dhe i dyti në Apel me 5 vjet e 5 muaj për 41 vjedhje. Po ashtu, Edmond dhe Eduart Trushi, kishin marrë edhe një urdhër dëbimi nga Italia.
Në vitin 2014, karabinierët kishin arritur të gjenin ADN-në e tyre në një makinë të vjedhur dhe u larguan pranë Saciles pas një ndjekjeje të gjatë.
Nga ato gjurmë, ishte zbuluar Eduard Trushi, por në gjyqin e zhvilluar në vitin 2016, ai u shpall i pafajshëm, pasi nuk ishte mundur “përtej një dyshimi të arsyeshëm” të konstatohej se cili nga të dy ishte në timon.
Në fakt, hetimi kishte zbuluar se gjurma gjenetike e binjakëve ishte shumë e ngjashme dhe do të kërkonte analiza më të thella, siç pohoi një ekspert i mjekësisë ligjore.
Në korrik 2015, u kontrollua shtëpia e tyre në Castiglione delle Stiviere, në provincën e Mantovës, ku u gjetën rreth 300 mijë euro mallra të vjedhura, 24 mijë euro para cash, Rolex, diamante, bizhuteri të tjera dhe pajisje elektronike.
Hetimet
Por tashmë duket se janë rikthyer dhe kanë aktivizuar bashkëpunimin kriminal në fushën e vjedhjeve të shtëpive. Hetuesit po i kërkojnë si “autorë të dyshuar” të disa vjdhjeve të reja në verit të Italisë.
Komandanti i njësisë hetimore të Komandës së Karabinierëve të Udines, konfirmoi për gazetën "Corriere della Sera" raporte të ndryshme kundër tyre dhe se hetimet janë duke u zhvilluar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.