Libra

‘Kandidati për kandidat’/ Arben Çejku rikthehet me një roman për politikën dhe moralin

Nga Gazeta “SI”- “Kush e ndan moralin nga politika, nuk e kupton politikën”, vëren ish-ambasadori Arben Çejku, gjatë promovimit të romanit të tij me titullin simbolik “Kandidati për kandidat”.

Një roman që, siç u shpreh shkrimtarja Flutura Açka, shkon drejt kufijve të satirës politike dhe sociale.

Arben Çejku, i njohur për karrierën e tij diplomatike si ambasador në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, por edhe si analist i ceshtjeve të rajonit, vjen për publikun dhe lexuesin shqiptar tashmë me një roman, një gjini të cilën Çejku e ka lëvruar dhe më parë. Dymbëdhjetë vite nga botimi i romanit të tij të parë ai rikthehet në letërsi me këtë vepër të dytë, e cila përpiqet të ndërtojë një pasqyrë kritike të realitetit politik shqiptar, me humor therës dhe ironi të hollë.

Në fjalën e tij, Çejku e cilësoi romanin si një homazh për mikun e ndjerë Sokol Olldashi, por edhe si një akt ndërgjegjësimi për çështjen e deputetit të burgosur Ervin Salianji. Ai theksoi se “Kandidati për kandidat” është fryt i përvojave personale dhe rrëfimeve të miqve me të cilët ka ndarë tri dekada të jetës politike shqiptare.

“Partitë sot janë kthyer në bunkerë ku individi dhe integriteti i tij nuk kanë më vlerë. Kjo më shtyu të shkruaj këtë roman, që përmes satirës, sarkazmës dhe humorit të zi, kritikon një realitet të deformuar. Vendimet e gabuara, karakteret e dobëta që gjithnjë gjejnë rrugë për të përfituar, janë pasqyra jonë kolektive sepse ata dalin prej nesh,” tha Çejku.

Në fund të fjalës së tij, autori theksoi se politika ka nevojë për më shumë moral

“Kush e ndan moralin nga politika, nuk e kupton politikën. Në Shqipëri, politika është urryer shpesh pikërisht për këtë arsye sepse është menduar se ajo është e shkëputur nga morali. Sipas meje, këto dy gjëra janë të pandashme, madje morali në politikë është një domosdoshmëri.”

Duma: Ambicia dhe zilia , shpesh motor reflektimi dhe zhvillimi

E pranishme në promovim ishte edhe ish-deputetja dhe moderatorja e emisionit “Top Story”, Grida Duma, e cila ndau disa reflektime mbi natyrën njerëzore të protagonizmit.

“Teksa po hyja në sallë për të marrë pjesë në panel, hasja sy ziliqarë që shihnin me dyshim çdo protagonizëm. Kjo është ndjesi njerëzore, por gjithashtu e shëndetshme. Sepse ambicia për të qenë protagonist dhe zilia ndaj atij që është, mund të jenë pikërisht shtysat për reflektim dhe zhvillim personal,” u shpreh Duma.

Ajo vlerësoi gjithashtu romanin si të domosdoshëm në këtë kohë kur letërsia ka nevojë të përballet me realitetin politik.

 “Vetëm përmes letërsisë që përballet me të vërtetën e jetës politike mund të kuptojmë dhe të tejkalojmë të metat e saj,” shtoi Duma.

Shkrimtarja Flutura Açka e cilësoi romanin si një satirë të mirëfilltë, ndërsa kritiku dhe pedagogu Agim Baçi, duke u ndalur te stili i autorit, theksoi: “Nuk ka asgjë më serioze sesa humori. Dhe ky roman e arrin këtë me një finesë të veçantë.”

Romani “Kandidati për kandidat”, i botuar nga shtëpia botuese “MediaPrint”, është vepra e dytë letrare në prozë e Arben Çejkut, pas romanit të tij të parë “Dymbëdhjetë”, botuar në vitin 2013.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë