Shendet

Kanceri i gjirit, rriten rastet tek grup mosha 35-40 vjeç. Mjekët: Ndikon mosinformimi

Foto ilustruese për kancerin e gjirit.Marrë nga interneti. 02.05.2022.

Kanceri i gjirit po përhapet dhe te moshat e reja në Shqipëri. Me parë mjekët deklaronin se rreziku rritej me moshën. Por vitet e fundit po preken shumë moshat e reja.
L.H është një grua 39 vjeçare, nënë e dy fëmijëve e cila jeton në periferi të Tiranës. Ajo i tregoi Gazetasi.al që pasi u diagnostikua me kancer gjiri, kuptoi se nuk ishte e vetmja në moshën e saj.
“Ne nuk kemi pasur në fis dikë tjetër me këtë sëmundje. Kur dëgjoja për mamografinë thoja se kanceri i gjirit nuk është për moshën time”, tregon ajo.
L.H kishte mësuar për sëmundjen rreth tre muaj pasi kishte dalluar një gjëndër në gjoksin e saj të djathtë.

Grafik i përpiluar nga Open Data Albania për rastet e reja në vitet përkatëse.


“Mendoja se ishte një gjëndër yndyrore e lëkurës (lipom), por kontrolli më tregoi tjetër gjë”, shton e reja.
Ajo tregon se pikërisht për shkak të moshës nuk besonte që kishte kancer të gjirit.
“Edhe kur bëra mamografinë i thoja doktoreshës, shiko mos ma ke ngatërruar”, shton L.H

Grafik nga Open Data Albania për incidencën e rasteve dhe vdekjeve sipas grupmoshave.


Më vonë 39-vjeçarja tregoi se kreu ekzaminime të shumta. Duke nisur me biopsinë ,ku për fat të mirë kanceri ishte në stadin e dytë. Sipas saj do ishte kuruar më herët po të kishte besuar që ka kancer. Ajo shton se gjendja e trajtimit vijon edhe sot, ku pas operacionit për të hequr një pjesë të gjoksit, po merr dhe trajtime të tjera.


“Gjithmonë kam qenë e kujdesshme me shëndetin, por këtë herë e neglizhova. Kur shkova në Bolonja (atje ku është operuar), kuptova se kishte shumë raste të reja me kancer gjiri. Aty mësova se kjo gjë nuk ishte aq e rrallë sa mendoja”, shton L.H.


Në Shqipëri tumori i kancerit të gjirit renditet i pari dhe mjekët kanë shpjeguar se ka një tendencë në rritje tek moshat e reja.


Daniela Bega , onkologe në Spitalin Amerikan, i tha Gazetasi.al se vitet e fundit shihet një rritje rastesh tek moshat 35-40 vjeç. Mjekja shton se në përgjithësi për shfaqjen e kancerit të gjirit ndikon mosinformimi dhe mos ndërgjegjësimi.

Daniela Bego.

Sipas saj, tek të rejat, ndikon më shumë fakti se nuk ju shkon mendja të kontrollohen periodikisht, pikërisht për shkak të moshës.
Sipas studimeve të ndryshme faktorët e riskut për këtë grup moshë përshijnë histori familiare, ose histori te rrezatimit terapeutik te gjirit.

Të dhënat sipas “Open Data Albania” kanë treguar se vetëm për vitin 2020 janë diagnostikuar për herë të parë 936 femra me kancer gjiri, ndërsa vdekje si rezultat i kësaj sëmundjeje për periudhën në fjalë janë 260 femra.


Të dhënat tregojnë se fatmirësisht ka një ulje të numrit të grave që vdesin nga ky kancer. Por shifrat tregohet se ka një rritje pikërisht tek moshat e reja. Sipas të dhënave në vendin tonë gjatë vitit 2020 janë diagnostikuar me kancer gjiri 322 gra të grup moshës 30-49 vjeç.
Nisur nga kjo e dhënë, mjekja Bega thekson se nuk duhet humbur vigjilenca sepse ka dhe ulje të moshës kur diagnostikohen.
Mjekja apelon për kryerjen e të paktën njëherë në vit të mamografisë ose ekos së gjirit për këtë grupmoshë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë