Shendet

Kanceret e gjakut/ Shefi i hematologjisë në QSUT: Rastet në rritje, po preken të gjitha moshat dhe më shumë meshkujt

Në Shqipëri numri i të sëmurëve që preken nga sëmundjet malinje po vjen në rritje. Një prej këtyre sëmundjeve, kanceret e gjakut, duket se po pëson një rritje të ndjeshme nga dekada në dekadë, por shefi i pavijonit të hematologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Arben Ivanaj, thotë se kjo rritje nuk është progresion aritmetik.
E megjithatë, incidenca sipas Ivanaj, është në rritje.
Në një intervistë për Gazetasi.al, doktor Ivanaj thotë se shkaku i rritjes së rasteve me sëmundjet malinje të gjakut lidhet jo vetëm me faktorët gjenetikë por dhe me stilin e jetesës, ku rol të rëndësishëm luan ushqyerja dhe aktiviteti sportive.
Në lidhje me grup moshën, hematologu thotë se kanceret e gjakut tashmë po prekin të gjitha moshat dhe më të rriskuar mbeten meshkujt.

Arben Ivanaj-Shef i Shërbimit të Hematologjisë në QSUT-Marrë nga interneti-Gazeta "Si"-29. 07.2022.

Si paraqitet sëmundshmëria si pasojë e kancereve të gjakut në pavionin tuaj?

Sëmundjet e gjakut ndahen në 3 lloje:

-sëmundjet malinje të gjakut ose kanceret.
-sëmundjet e lindura të gjakut, të rruazave të kuqe të gjakut dhe mpiksja.
-sëmundjet e gjakut që vijnë si pasojë e një sëmundje tjetër sekondare sic është anemia.

Sëmundjet e lindura të gjakut janë hemofilia dhe talasemia të cilat parandalohen përmes edukimit shëndetësor. Mjekimi i tyre vijon të bëhet me zëvendësues dhe këta të sëmurë bëjnë jetë normale.
Sëmundjet e gjakut, hemopatitë malinje, (kanceret e gjakut) ndahen në dy grupe të mëdha, neoplazitë mieloide dhe neoplazitë limphoide.
Limphomat malinje bëjnë pjesë në grupin e sëmundjeve, neoplazite limphoide, e thënë ndryshe, kancerët e qelizës limphoide.

Nga se shkaktohen këto sëmundje ?

Nuk dihet shkaku se pse ndodh dëmtimi gjenetik, por dimë se një numër faktorësh të jashtëm influencojnë dhe janë përshkruar si faktore, të cilët mund të dëmtojnë kromozomet, gjenet (ADN) tona. Nga ana tjetër, se secili nga ne ka një predispozitë të caktuar gjenetike, gjenet tona janë të trashëguara nga paraardhësit tanë dhe disa nga ne kanë shanse të ndryshme për të zhvilluar disa sëmundje.
Pra, faktorët e jashtëm (duhani, obeziteti, produktet e ndryshme kimike, alkooli, etj) veprojnë mbi kodin tonë gjenetik të dhënë në një moment të caktuar të diferencimit të qelizës limfoide, shpesh në dy momente, dëmtimi i parë ndodh në qelizën e hershme, kur qeliza limfocitare është akoma në palcë dhe dëmtimi i dytë, i cili e bën të pa ri-kthyeshëm procesin, ndodh në qelizat limfoide në pritje për t’u markuar (shënuar) nga antigjeni.

Reparti i hematologjisë në QSUT-Marrë nga interneti-Gazeta "Si"- 29.07.2022.

A janë rritur rastet e të sëmurëve me kanceret e gjakut?

Kanceret në përgjithësi kanë tendencë në rritje, por kjo rritje është rritje konstante jo në progresion aritmetik. Shtimi i sëmundshmërisë ka ardhur si pasojë e jetëgjatësisë së popullatës. Sa më të moshuar të jemi aq më shumë gjasat janë të prekemi nga kancerat.
Ajo që vihet re është se kanceret e gjakut po prekin të gjitha moshat. Nëse analizojmë situatën dekadë pas dekade, vërejmë se nëse deri dje kishim sëmundje malinje që nuk preknin të rinjtë, sot po konstatojmë raste pothuajse tek të gjitha grupmoshat.
Kjo ka ardhur si pasojë e diagnozës më të mirë, e mjekimit më të mirë dhe ka një rritje relative të të sëmurëve. Incidenca është në rritje në përgjithësi për të gjitha sëmundjet malinje. Evolimi i mjekimit duke shenjëstruar qelizën malinje, medikamentet e reja që janë futur për trajtimin e sëmundjeve malinje, e kanë shndërruar në sëmundje normale kronike. Për disa sëmundje malinje të gjakut, fatkeqësisht situata vijon të jetë e njëjtë.

Cilët preken më shumë, meshkujt apo femrat?

Janë disa sëmundje malinje të gjakut që prekin më shumë meshkuj dhe ata janë më të rriskuar. Me përjashtim të kancerit të gjirit dhe kancerit të uterusit që kanë si target grup femrat.
Leucemia akute diagnostikohet shpejt, por disa prej tyre kanë prognozë shumë te keqe. Ka një stabilitet të vdekshmërisë, edhe për leucemitë akute. Si pasojë e trajtimit adekuat, kurba ka rënë por ka progres. Stili i jetesës, aktiviteti fizik, stresi, dieta jo e shëndetshme, papastërtia e produkteve dhe e ambientit, shtojnë shanset për t’u prekur nga kanceret e gjakut.

Cilat janë simptomat që shfaqen?

Në përgjithësi, klinikisht limfomat karakterizohen me rritje te ganglioneve (gjëndrave në qafe, nënsqetulla, në rreze të kofshës, në bark).
Sipas vendit ku rriten ganglionet, do të kemi dhe shenja klinike, për shembull, kur rriten ganglionet në toraks, shpesh i sëmuri ka kollë të thatë, ose kur kemi rritje të ganglioneve të barkut, pacienti mund të ketë dhimbje të barkut. Në disa raste ganglionet janë të skuqura dhe të dhimbshme.
Shenjë tjetër klinike është temperatura, 1/3 e të sëmurëve ka temperaturë, kryesisht në darkë, shoqëruar ose jo me djersë natën, e cila takohet në 1/3 e rasteve në diagnozë. Tjetër shenjë klinike është rënia në peshë në tre muajt e fundit.
Pacientët të cilët paraqesin shenjat e mësipërme, pra rritje të gjëndrave kudo në organizëm, në 1/3 e rasteve kanë temperaturë, rënie në peshë 3-6 muajt e fundit, djersë natën prej më shumë se disa muajsh.
Në këto raste pacienti duhet të drejtohet tek mjeku i familjes, i cili e drejton të sëmurin tek hematologu.

A kanë evoluar metodat e trajtimit të kancereve të gjakut në pavionin tuaj?

Shërbimi i Hematologjisë QSUNT, është i vetmi shërbim hematologjie në Shqipëri, i specializuar për trajtimin e kësaj patologjie. Mjekimi i të dy llojeve bëhet me kimioterapi dhe immunoterapi.
Me gjithë progresin e bërë këto sëmundje mbeten të pashërueshme, si të gjithë kancerit e tjerë dhe limphomat malinje mbeten sëmundje të pashërueshme.
Progresi vazhdon me ardhjen e medikamenteve të reja dhe që godasin direkt mekanizmin e lindjes dhe të gjenerimit të qelizës malinje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë