Nga Gazeta ‘SI’ – Raporti i fundit i Amnesty International gjen se liria e medias në Shqipëri është e kërcënuar nga presionet politike dhe ekonomike.
Gazetarët shqiptarë, thoë raporti përballen me intimidime të vazhdueshme nga politika dhe krimi i organizuar.
“Në maj, Indeksi Botëror i Lirisë së Shtypit 2024 nga Reporterët pa Kufij zbuloi se liria e shtypit dhe pavarësia e medias shqiptare kërcënoheshin nga konfliktet e interesit midis botës së biznesit dhe asaj politike, një kuadër ligjor me të meta dhe rregullore partiake”, shkruan Amnesty.
Numri i gazetarëve të vrarë në botë gjatë 2024-s preku rekorde të reja: sipas OJQ-së Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, të paktën 124 gazetarë dhe punëtorë të medias u vranë vitin e kaluar, gati dy të tretat e tyre palestinezë të vrarë nga Izraeli.
Ndër të tjera raporti përmend edhe marrëveshjen me Italinë për kampin e Gjadrit si shqetësim.
Amnesty International denoncon marrëveshjen e ratifikuar me Italinë për ndërtimin e dy qendrave pritëse për azilkërkuesit në Shqipëri. Sipas organizatës, kjo marrëveshje ngre shqetësime për ndalime arbitrare dhe trajtim jo të denjë të refugjatëve.
Raporti thekson se e gjithë bota është në një moment kritik dhe të drejtat e njeriut po goditen nga të gjitha anët. Luftërat, krizat politike dhe ekonomike po shkatërrojnë shtyllat e ndërtuara që prej Luftës së Dytë Botërore dhe Holokaustit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.