Udhëtimet e para përmes Kanalit të Korinthit, një prej veprave infrastrukturore më domethënëse që ka parë njerëzimi, janë kryer në vitin 1893, por ideja për ndërtimin e tij është dhënë prej 2500 vitesh.
Kanali çan përmes një rripi të ngushtë toke në Korinth, që lidh Detin Jon me atë Egje, duke e kthyer gadishullin e Peloponezit praktikisht në një ishull e duke krijuar një rrugë detare kalimi që ka transformuar lundrimin në Europën e jugut.
Kalimi përmes këtij kanali u kursen anijeve 321 kilometra duke bërë të mundur arritjen e porteve shumë më shpejt. “Ka qenë një sipërmarrje tepër sfiduese”, thotë për CNN George Zouglis, menaxher i përgjithshëm i kompanisë që operon kanalin. “Pa dyshim ka qenë një prej arritjeve më të mëdha inxhinierike të kohës”.
Sot kanali është një destinacion mjaft popullor, i dyti më i vizituar në Greqi në ditët e sotme, sipas Zouglis. Sipas shifrave zyrtare, rreth 12 mijë anije turistike dhe tregtare nga 60 vende të ndryshme kalojnë çdo vit përmes kanalit.







Momentalisht ai është mbyllur për punime. Zakonisht kanali qëndron i hapur 24 orë në ditë, përveç se të martave në orarin 6:00-18:00, kur kryhen punime mirëmbajtjeje. Anije të ndryshme, si ato që kalojnë peshën prej 800 tonësh, apo ato që mbajnë mallra të rrezikshme, duhet të kalojnë përmes kanalin me varka ndihmëse.
Në total, rreth 2500 vetë punuan për të realizuar projektin, me makineri të importuara nga Franca. Përurimi u bë më 25 korrik 1893 e që prej asaj kohe kanali ka operuar pa ndërprerje. Në disa raste rrëshqitjet e dherave kanë ndërprerë qarkullimin e anijeve, por gjithmonë kanali është rihapur.
Për të përfituar edhe më shumë nga turizmi, grekët tani po mendojnë të hapin një muze digjital ku do të shfaqen relikte dhe artefakte që pasqyrojnë historinë e gjatë të kanalit. Muzeu parashikohet të hapet në vitin 2024 dhe në të do të ketë edhe fotografi historike, vepra arti dhe dokumente e makineri që janë përdorur në dekadat e para të operimit të kanalit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




