Në sajë të operacionit të koduar “Gjerbës”, Policia e Beratit ka goditur një rast të kultivimit të bimëve narkotike, duke vënë në pranga pesë persona, mes të cilëve edhe një inspektor policie.
Policia bën me dije se janë vënë në pranga shtetasit:
P. R., 53 vjeç, banues në Berat; G. Xh, 34 vjeç, banues në Mallakastër; A. S., 44 vjeç, banues në Mallakastër; L. Xh., 31 vjeç, banues në Mallakastër dhe L. Xh., 51 vjeç, me detyrë inspektor i Policisë së zonës në Komisariatin e Policisë Mallakastër.
Mësohet se personat e arrestuar kanë mbushur me kanabis shumë zona të jugut, nga Berati deri në Mallakastër.
Për shtetasit e sipërpërmendur, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi dyshohet se kanë kultivuar bimë narkotike në fshatin Osmënzezë, Berat, në Gjerbës dhe Selitë, Mallakastër, bimë të cilat janë evidentuar dhe asgjësuar më parë nga Policia, gjatë kontrollit të pandërprerë të territorit.
Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike, në bashkëpunim”, ndërsa për punonjësin e Policisë për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Kultivim i bimëve narkotike”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




