Lajme

Kampionët në fuqi shkatërrojnë Japoninë, Vargas brilant me dy gola

Kur loja bëhet serioze, Kili është gjithmonë i pranishëm. Dhe në këtë rast është edhe një “mbyllje goje” edhe për ata që mendojnë se kampionët në fuqi të Kupës së Amerikës janë në perëndim. Është e kundërta, të paktën nga ajo çfarë tregoi Kili në ndeshjen debutuese kundër Japonisë: ritëm, lojë, intensitet dhe ç’është më e rëndësishme, 4 gola. Shënuan Pulgar, Sançez dhe Vargas (2), i cili ka nisur menjëherë gjuetinë për të tretën herë radhazi të golashënuesit më të mirë të kompeticionit. Aziatikët shpërdoruan të paktën 4 raste flagrante goli, që do t’i kishin dhënë ndeshjes një rrjedhë tjetër. Pa fat Arturo Vidal, i cili la fushën pas një ore lojë, për shkak të një problemi muskulor.

Gjatë 20 minutave të para skuadrat studiuan njëra-tjetrën. Më pas Kili mori në dorë “frenat” e lojës, fitoi terren në mesfushë dhe filloi të “merrte masat” e portës së Japonisë. Rezultati u zhbllokua në fundin e pjesës së parë, kur Pulgar u koordinua në mënyrë perfekte dhe me një gjuajtje me kokë e dërgoi topin në rrjetë, pas krosit të ardhur nga goditja e këndit. Në pjesën e dytë Kili shënoi edhe 3 gola të tjerë. Dyfishimi erdhi shumë shpejt me Edu Vargas, kurse Sançez, i cili vjen pas një sezoni zhgënjyes me Mançester Junajtid, pasi humbi disa raste, shënoi me kokë 8 minuta para fundit. Një minutë më pas Vargas vulosi rezultatin me një parabël ndaj portierit kundërshtar. Me këtë dygolësh, Vargas është shënuesi më i mirë i Kilit në historinë e Kupës së Amerikës, me 12 gola.

Kili feston një nga golat e Vargasit

Përtej meritave të Kilit, duhet thënë se Japonia gaboi gjithçka në këtë ndeshje. I dhuroi një pjesë loje Kilit, ndërkohë që humbi raste të pastra goli, kur rezultati ishte 2-0. Nakajima dhe Shibasaki dhanë disa asiste për sulmuesin Ueda, por 20-vjeçari nuk ia doli të shënonte. Të enjten Japonia luan me Uruguain dhe i duhet të bëjë kthesën patjetër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë