Prokuroria e Tiranës ka riklasifikuar akuzat ndaj efektivit të policisë, Nevaldo Hajdaraj, autori i vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha.
Vendimi i grupit hetimor që po merret me këtë dosje nuk është ende zyrtar, por burime të sigurta të Gazetës “Si” konfirmojnë një ditë pas njoftimit të nxjerrë nga organi i akuzës, ku paralajmërohej rivlerësimi i veprës penale. Akuza është ashpërsuar nga vrasje nga pakujdesia në vrasje me dashje.
Prova kryesore e prokurorëve, sipas burimeve të Gazetës “Si” janë pamjet filmike të një kamere të sekuestruara në zonë. Kamera ka filmuar gjithçka dhe burimet thonë se në to duket efektivi Nevaldo Hajdaraj teksa qëllon nga pozicioni shtrirë në drejtim të viktimës.
Po ashtu, prokurorët janë ende në përpjekje për të zbardhur misterin e pistoletës së gjetur në vendin e ngjarjes. Për këtë po i bëhet një hetim ballistik armës në fjalë.
Me akuzën e vrasjes me dashje, sipas Kodi Penal efektivi Nevaldo Hajdaraj rrezikon që të dënohet me burg nga 10 deri në 20 vite.
Akuza që u ngrit fillimisht ndaj Nevaldo Hajdarajt ishte ajo e vrasjes nga pakujdesia, përmes të cilës ai mund të përfitonte një reduktim të ndjeshëm të ndëshkimit, deri në 2 vite burg.
Prokuroria hodhi poshtë edhe dëshmitë e vetë Nevaldo Hajdarajt dhe të efektivit tjetër të forcave “Shqiponja” që ndodhej me të natën e ngjarjes, duke deklaruar se nga provat e grumbulluara nuk ka shenja dhune.
Ndërkohë, familjarët e viktimës kanë kërkuar ashpërsimin e akuzës ndaj Hajdarajt. Vëllezërit e Klodian Rashës thanë se pensionin social që i kishte ofruar Qeveria do ta jepnin për bamirësi dhe se gjithçka që kërkonin ishte drejtësia. Ata paralajmëruan se brenda dy ditëve prokuroria do ta akuzojë efektivin Nevaldo Hajdaraj me akuzën e vrasjes me dashje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.