Kinema

‘Kamera është më e fuqishme se një pushkë’/ Çifti ukrainas që filmoi luftën, në garë për ‘Oscar’

Anya Stasenko dhe Slava Leontyev e ndienë përgjegjësinë e historisë mbi supe kur vendosën të filmonin njerëzit e thjeshtë që mbronin atdheun e tyre nga sulmi rus.

Çifti që momentalisht është në Los Anxhelos,  nuk duket si të nominuarit tipikë për Oscar. Lodhja e gdhendur në fytyrat e tyre nuk vjen nga netët e gjata të festave apo nga ditët e stërzgjatura të qarqeve profesionale kinemtaografike. Më shumë ata ngjajnë sikur  pesha e botës rëndon mbi ta.

Anya Stasenko dhe Slava Leontyev janë dy artistë të qeramikës të ardhur nga  qyteti i  Khrakiv, një zonë në vijën e parë të frontit të luftës në Ukrainë. Ata janë të martuar prej dekadash dhe punojnë së bashku, duke krijuar kafshë porcelani të pikturuara me mjeshtëri.

Për habinë e të gjithëve, “Porcelain War” fitoi nominimin në kategorinë e dokumentarit më të mirë. Çifti ka kaluar vitin e fundit në SHBA, duke u perpjekur të rrisin ndërgjegjësimin për Ukrainën.

“Asnjëherë nuk kishim planifikuar të qëndronim kaq gjatë këtu dhe me të vërtetë na duhet të kthehemi sa më shpejt të jetë e mundur,” thotë Leontyev. Ata janë të vendosur në Denver, por shumicën e kohës e kalojnë duke udhëtuar në promovimin e filmit.

A ndihen ndonjëherë fajtorë që kanë qëndruar kaq gjatë larg Ukrainës?

Leontyev tund kokën. “Nuk jam ndier kurrë fajtor, por më mungojnë njerëzit.” Ai flet për shqetësimin që ndjeu kur nisi të bënte dokumentarin ndërsa ende shërbente në ushtri. “Kur mora kamerën në dorë, dikush tjetër duhej të merrte një pushkë në vendin tim, fjalë për fjalë. Nuk mund ta shpjegoj. Nuk ndihesha fajtor, por e ndjeja se diçka nuk shkonte.”

Një ditë, Leontyev i kërkoi komandantes së njësisë së tij një mendim të sinqertë mbi braktisjen e luftës për një dokumentar . “Ajo më tha: ‘Kamera jote është një armë e fuqishme dhe më me ndikim se një pushkë.’”

“Ishte e mundur ta bënim këtë film vetëm sepse njësia  na mbështeti plotësisht.” Deri më tani, njësia nuk ka pasur asnjë humbje jete. “Është një mrekulli,” thotë ai.

Janarin e kaluar, Stasenko dhe Leontyev mbërritën në SHBA pa ditur asnjë fjalë anglisht.

Leontyev buzëqesh me ndrojtje. “Anglishtja jonë nuk është perfekte,” thotë ai. “Gramatika na mungon!”

Në atë moment, një tufë e vogël qimesh nxjerr kokën nga prehri i gruas së tij. Është Frodo, qeni i çiftit, një tjetër yll i filmit.

“Ai mendon se çdo avion është një avion ushtarak. I ndjek dhe u leh  për t’i larguar,” thotë Leontyev, duke parë nga e shoqja. Ata buzëqeshin me njëri-tjetrin.

Stasenko dhe Leontyev e njohin njëri-tjetrin që nga fëmijëria. Në “Porcelain War” shfaqet një fotografi ku Stasenko shtyn burrin e saj të ardhshëm në një karrocë të vjetër (ajo është disa vite më e madhe se ai). Ata u lidhën gjatë shkollës së artit në vitet 1980, kur Ukraina ishte ende pjesë e Bashkimit Sovjetik. Në vitin 1991, kur Bashkimi Sovjetik u shpërbë , ata ishin ende studentë.

“Ishte një kohë interesante dhe një kohë e uritur,” thotë Leontyev.

“Është normale që studentët të jenë të uritur!” vëren e shoqja me humor. Ajo pyet veten nëse përvoja e atyre viteve i ka përgatitur për luftën.

“Ishte një kohë e bukur. Nuk ngjante me luftën. Por brezi ynë ka përjetuar thyerjen e të gjitha rregullave. Ne e kuptojmë se gjithçka përreth mund të zhduket në një çast.”

Ata u vendosën në Krime, pranë mikut të tyre Andrey Stefanov, një piktor që është edhe kinematografi i “Porcelain war”. Por në vitin 2013, kur Rusia pushtoi Krimenë, çifti u rikthye në Kharkiv. Në atë kohë, Leontyev nisi trajnimin ushtarak.

“Ne e dinim,” thotë ai. “Që nga aneksimi i Krimesë, e dinim se çfarë lufte do të na vinte.”

Në dokumentar, ata e mbushin ekranin me bukurinë e peizazheve ukrainase. Shohim gjithashtu Stasenko duke pikturuar, një akt rezistence përballë një agresori që synon të fshijë një komb nga ekzistenca. Në zërin e tij, Leontyev e krahason porcelanin me Ukrainën:

“E lehtë për t’u thyer, e pamundur për t’u shkatërruar.”

Filmi na çon në vijën e frontit në Bakhmut, ku pamjet janë xhiruar nga ushtarët civilë të njësisë së Leontyevit, duke përdorur kamera trupore dhe dronë të dërguar nga SHBA bashkë me ndihmat mjekësore nga një parukier ukrainas në New Jersey. Dronët gjurmojnë bombat që bien mbi objektivat ruse. Ato operohen nga njerëz që dikur kishin jetë të zakonshme: një analist IT, një shitës mobiliesh, një fermer qumështi. Duke parë filmin, nuk mund të mos mendosh: “A do ta bëja unë këtë? A do ta kisha forcën?”

Leontyev thotë se mesazhi i dokumentarit  është rezistenca e  njerëzve të zakonshëm që mbrojnë demokracinë.

 “Tregon më të mirën e ukrainasve,” thotë ai. “Në kohë të errëta, njerëzit e mirë shkëlqejnë. Të gjithë këta njerëz u bashkuan si vullnetarë. Ata nuk po mbrojnë vetëm familjet e tyre; ata erdhën sepse ndjenë përgjegjësi përpara historisë. Kjo betejë është mes totalitarizmit dhe demokracisë. Nuk është një front midis Ukrainës dhe Rusisë. Është fronti i gjithë botës.”

“Porcelain War” është nominuar për dokumentarin më të mirë në Oscar, dhe qëndrimi i çiftit në SHBA është zgjatur sërish. Nëse fitojnë, e gjithë bota do ta dëgjojë mesazhin e tyre nga skena e çmimeve Oscar. Ata tundin kokën në pohim. Por Leontyev mbetet modest.

“Kurrë nuk e kam menduar se do të nominoheshim. Nuk ndjej se ky film është vetëm i yni. Pas këtij filmi qëndron guximi i çdo ushtari ukrainas dhe qëndresa e çdo civili ukrainas. Ky nominim i përket  çdo ukrainasi.”

Burimi: “The Guardian”;  Përshtati: Gazeta “SI”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë