Nga Gazeta Si- “Stresi i një prindi me fëmijë autikë, i ngjan stresit të një ushtari në front”, kështu shprehet 40-vjeçari me profesion inxhinier IT, Ardi, prind i binjakëve 10-vjeçarë, të prekur nga çrregullimet e spektrit autik.
Në një rrëfim për Gazetasi.al, Ardi tregon se stresi i tij zë fill që në mëngjes dhe deri kur mbyll sytë natën vonë, pas një dite intensive e zënë me 3 punët që ka marrë përsipër të kryejë, sepse siç thotë ai, shpenzimet për binjakët sa vijnë e shtohen.
“U martuam të rinj, kishim ëndrra. Gëzimi se do të bëhesha baba, mu shua shpejt, kur mësuam se binjakët tanë, vuanin nga autizmi, një sëmundje krejt e panjohur për ne. Gruaja ime punon financiere, kurse unë kam mbaruar inxhinieri IT. Por të ardhurat tona shkojnë të gjitha për ata.
Kemi filluar që në moshën 4-vjeç t’i dërgojmë në qendra të specializuara për këtë kategori. Shteti nuk na heq asnjë shpenzim. Gjithçka e përballojmë vetë”, thotë Ardi me sytë e mbushur me lot.

Gjithçka ka, ja ka falur djemve, vetëm ti shohë ata të përmirësojnë disi gjendjen e tyre. Sepse një shpresë e mban gjallë që me moshën do të ndryshojë disi situata, por jo!
“I kam dërguar dhe vazhdojnë të frekuentojnë kurse private, logopedi, pikturë, i dërgoj në not. Njëri prej tyre më duket më ndryshe dhe do doja që dhe binjaku tjetër të kishte të njëjtin ritëm të përmirësimit, por deri tani s’ka asgjë të re.
Unë vazhdoj të paguaj psikologe zhvillimi, logopedë, që ata të jenë sa më mirë dhe të mos ndjehet diferenca me fëmijët e tjerë. Por të gjitha këto para nga dalin? Punoj 3 punë për të përballuar kostot e trajtimit të tyre.
Jam inxhinier në një zyrë pune gjatë paradites dhe më pas punoj part time në disa subjekte private që kanë nevojë për mirëmbajtjen e rrjetit. Disa herë kam menduar të emigroj, por i vetmi shtet social që siguron mbështetje për fëmijët e mi autikë është Kanadaja. Dhe atje, emigrimi nuk është aq i lehtë”, vijon Ardi që fytyra i skuqet menjëherë sapo kujton sa vite ju deshën të paguajë dokumentacionin për emigrimin në Kanada dhe që një ditë të bukur i la të gjitha.
“S’mund të iki kuturu pa më dalë dokumentet. Por ato kërkojnë vite dhe unë s’kam kohë të humb duke shpenzuar, pasi paratë më duhen këtu, në Shqipëri. U duhen djemve që t’i përballoj trajtimet e tyre.
Nuk mund t’i lë në shtëpi, të mbyllur, sepse kjo nuk u shërben zhvillimit të trurit të tyre”, pëshpërit inxhinieri që jeta ja ka kërrusur edhe më shumë shpinën nga dhimbja për të bijtë e sëmurë.
Sot, thotë Ardi, “jemi të rinj, akoma të fuqishëm dhe që prodhojmë para, por pengu im është ç’do bëhet me ta nesër? Çfarë u ofron shteti? Kush do kujdeset për ta kur ne të mos jemi më”?
“Ja këto pikëpyetje ma prishin gjumin dhe s’më lënë të shijoj të tashmen e t’u gëzohem fëmijëve”, thotë prindi i binjakëve autikë, që sot kanë më shumë se kurrë nevojë për prindërit e tyre.

Një nga idetë e “çmendura” që u erdhi këto vite, Ardit dhe gruas së tij, ishte shitja e shtëpisë në Tiranë për të emigruar jashtë.
“Desh e bëmë këtë hap, por në momentin e fundit mendova për një moment që nuk do na ecte andej. Ku do të kthehesha? Me dy fëmijë të sëmurë që kanë nevojë për shërbime çdo ditë, do të ishte e pafalshme për mua t’ua hiqja dhe atë që kanë më shumë nevojë për sigurinë e tyre, strehën, çatinë ku të jenë të sigurt. Dhe kam vendosur të mos e shes, por të vazhdoj të punoj fort, pasi çdo gjë që prodhoj e kam vetëm për ta. Ndjej keqardhje që shteti na ka braktisur, që nuk ofron asgjë pa para. Dhe ato qendra të specializuara që u hapën në fillim dhe ku punojnë stafe të specializuara për fëmijët autikë kanë një kosto prej 500 mijë lekë të vjetra në muaj. Unë s’e përballoj dot”, përfundon prindi i fëmijëve autikë, i cili ka hequr dorë së kërkuari nga shteti, por i thotë “faleminderit” vetëm duarve të tij dhe bashkëshortes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.