Gazeta Si - Gjykata e Posaçme ka vendosur të kalojë për gjykim dosjen “Gërdeci” në ngarkim ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, i cili tani konsiderohet edhe zyrtarisht i pandehur për akuzat e “shpërdorimit të detyrës” dhe “shpërdorimit të detyrës në kuadër të kodit ushtarak”.
Gjykata gjithashtu pranoi gjykimin e shkurtuar dhe në datën 24 prill zhvillohet seanca e parë e themelit
Gjykimi i shkurtuar do të zhvillohet për përfituar një të tretën e dënimit në rast se personi, në këtë rast Fatmir Mediu shpallet fajtor, por nuk do të thotë pranim fajësie.
Megjithatë, seanca paraprake në gjykatë është shoqëruar me kundërshtim nga avokatët e tij, të cilët kanë konsideruar se procesi nuk mund të zhvillohet për shkak të parashkrimit të veprave penale dhe kohës së gjatë të kaluar dhe duke pretenduar kështu se i gjithë procesi ka nisur politikisht.
Avokati i familjes Durdaj, e cila ka humbur pjesëtarë të saj në shpërthimin në Gërdec, kërkon që në gjykimin ndaj Mediut të jenë të pranishëm edhe familjarët e viktimave.
“E vetmja arsye që mund të kuptohet, sipas prokurorëve akuza në fjalë nuk paska lidhje me shpërthimin. Unë nuk e konsideroj këtë të vlefshme si procedurë, familjarët duhet të ishin aty. Kemi mundësitë tona të ankimit. Dosja nuk është e plotë. Ky proces do të jetë me pjesëmarrjen e familjarëve, nuk ka për të shkuar dot para pa praninë e tyre dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe”, u shpreh avokati Dorian Matllija.
Ndërsa Zamira Durdaj, e cila ka humbur djalin e saj në këtë tragjedi, shprehu pakënaqësinë me gjyqtarët dhe prokurorët e SPAK-ut.
“Nuk jam e kënaqur me këtë veprim që bënë. Është e turpshme, unë do i drejtohem KLP-së dhe KLGJ-së, do të kenë ankim nga unë. Duhet të shkarkohet SPAK-u i gjithi. Kam pakënaqësi edhe për prokurorët, edhe për gjyqtarët. Në ankimim në KLP dhe KLGJ. Zamira do të vazhdojë betejën. Është turp, vetëm për të zezën e tyre e kanë, jo për mua”, deklaroi Zamira Durdaj.
Përveç shpërdorimit të detyrës, sipas SPAK, kreu i PR-së është nën hetim edhe për dy akuza të tjera, ku është vendosur ndarja e çështjes: “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë apo i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në lidhje me dosjen "Gërdeci".
Mediu më herët ka deklaruar se këto akuza janë të gjitha të montuara ndaj tij dhe e gjithë çështja po përdoret për ta goditur atë politikisht.
SPAK dorëzoi dosjen kundër ish-funksionarit, duke kërkuar gjykimin e tij, pasi dyshon se ish-ministri bashkëpunoi me zyrtarë të tjerë, duke nxjerrë akte nënligjore që dëmtuan shtetin në favor të kompanive SAC dhe Albademil, që të dyja të nënkontraktuara për demontimin e municioneve në Gërdec.
Dosja për Mediun u hap nga kallëzimi i familjes Durda, e cila humbi fëmijën në tragjedinë që u mori jetën 26 personave dhe plagosi 300 të tjerë.
Më herët në SPAK janë pyetur një sërë zyrtarësh dhe ish-zyrtarësh të kohës, përfshirë edhe Shkëlzen Berishën, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, i dyshuar në këtë aferë pas një komunikimi të ish-ministrit të Drejtësisë Aldo Bumçi, i cili citonte emrin e tij në një shkresë.
Në15 mars (e shtunë), 2008 rreth orës 12:05, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një "fabrikë" për demontimin e armëve humbën jetën të paktën 26 persona, punëtorë të kësaj fabrike “vdekjeje” e fëmijë të zonës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.