Gazeta Si – Flamur Noka është rikthyer këtë të premte në SPAK tre ditë pas paraqitjes së parë për çështjet “Bufi” dhe “Aktivisti”.
Edhe sot, ai është thirrur për të njëjtat çështje në cilësinë e kallëzuesit në lidhje me akuzat e bëra për krimet zgjedhore.
Ai tha se vizitat e tij në Prokurorinë e Posaçme do jenë të shpeshta sepse ka shumë për të për denoncuar.
Në një kohë kur “Rithemelimi” ka hedhur akuza të ashpra mbi SPAK, duke e cilësuar si “organ të qeverisë”, Noka tha se këto denoncime për procesin zgjedhor të 14 majit do të jenë një provë për ta.
Për Nokën, këtu mund të kuptohet mjaft mirë nëse SPAK është një organ i pavarur siç pretendohet të jetë, apo është “nën sqetullën e qeverisë”.
“Do të denoncojmë përditë farsën elektorale dhe manipulimin e deformimit të vullnetit të shqiptarëve. Janë shumë kallëzime, do më shihni shpesh në këto dyer, se kam detyrën që t’i qëndroj përballë këtij regjimi për të denoncuar çdo batërdi. E kemi akuzuar dhe do vazhdojmë ta akuzojmë SPAK-un, është organi i drejtësisë, kanë një mundësi për të dalë jashtë ‘xhepit të qeverisë”, kjo është një provë a janë në xhepin e qeverisë apo janë nën sqetullat e qeverisë”, tha Noka.
Të martën, deputeti demokrat ishte në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ku paditi penalisht kryetaren e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufin, për të cilën thotë se ka shantazhuar dhe kërcënuar qytetarët për votën.
Sipas Nokës kallëzimi është bërë për dy vepra penale, “Shpërdorim detyre” dhe “Kanosje apo dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.
Ne padinë e tij Noka vëren se administratorja e kësaj bashkie “ka kryer me dashje dhe personalisht gjatë fushatës zgjedhore shkelje të rënda kundër punonjësve të administratës publike”.
Kjo, për t’i penguar ata të votojnë lirisht, shkelje si kërcënime, presione dhe shantazhe.
Noka kërkon nga Struktura e Posaçme, “regjistrimin dhe fillimin e procedimit penal ndaj shtetases së kallëzuar, kryetares në detyrë të bashkisë Roskovec, Majlinda Bufit”.
Më herët, Bufi gjendej mes kryebashkiakëve të gjobitur nga Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve. Kjo, pasi kishte përdorur për qëllime elektorale faqen zyrtare të “Facebook-ut” të bashkisë që drejtonte.
Po ashtu Noka tha se është thirrur edhe për kallëzimin që ka bërë për aplikacionin Aktivisti, që sipas tij ka shërbyer për t’i ushtruar presion administratës për votën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




