Nga Gazeta ‘Si’- Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, e cila ndodhet në Ballkanin Perëndimor për vizita zyrtare në Serbi, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, ka thënë se do të bisedojë me qeveritë dhe me shoqërinë civile për “rrugën e tyre drejt BE-së”.
Sipas saj, dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve është “domosdoshmëri për të lëvizur përpara” në atë drejtim.
Back in the Western Balkans.
— Kaja Kallas (@kajakallas) May 21, 2025
I will be visiting Serbia, Kosovo and North Macedonia in the next two days and engage with governments and the civil society on their EU path.
The Belgrade-Pristina Dialogue is a must in moving forward. Now is the time to re-engage. pic.twitter.com/u6dphKMOEp
“Tani është koha për riangazhim”, ka shkruar Kallas në llogarinë e saj, në platformën X, në internet.
Kryediplomatja e BE-së do të qëndrojë në Kosovë më 22 dhe 23 maj, në kuadër të turneut rajonal që e ka nisur më 21 maj, me vizitë në Serbi.
Në Beograd, ajo është takuar në natën e së mërkurës me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili ka thënë se vendi i tij “mbetet partner i besueshëm për të gjithë që sinqerisht duan bashkëpunim, përparim dhe një të ardhme të përbashkët evropiane”.
Presidenti i Serbisë ka pohuar, në një postim në llogarinë e tij, në rrjetin social Instagram, se me Kallasin ka biseduar për çështje kyç gjeopolitike, për situatën e sigurisë në rajon, për rrugën evropiane të Serbisë dhe për dialogun me Kosovën.
Ai ka thënë se Kallasit i ka theksuar se “Serbia është e vendosur për dialog konstruktiv me ndërmjetësimin e BE-së, si mënyrë për zgjidhjen e çështjeve të hapura, dhe se mbrojtja e serbëve në Kosovë është prioriteti ynë absolut”.
Vuçiç ka thënë se ia ka kujtuar kryediplomates së BE-së se “Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk është vetëm obligim për të cilin jemi marrë vesh, për edhe një parakusht për përparim të mëtejmë në dialog, dhe për çfarëdo normalizimi marrëdhëniesh”.
BE-ja ka njoftuar se Kallas do ta takojë në Beograd edhe kryeministrin Gjuro Macut, si dhe ministrin e Jashtëm, Marko Gjuriç, atë për Integrime Evropiane, Nemanja Staroviç, dhe kryetaren e Kuvendit, Ana Bërnabiq, dhe grupet parlamentare opozitare, para se atje të mbajë një konferencë për media, të enjten.
Kallas më pas, gjatë ditës, do të udhëtojë drejt Prishtinës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.