Votuesit në Kaledoninë e Re, një grup ishujsh i vendosur në Oqeanin Paqësor, në lindje të Australisë refuzuan pavarësinë dhe votuan pro qëndrimin nën administrimin e Francës. Personat me të drejtë vote ishin rreth 175 mijë, ndërkohë që pjesëmarrja në proces ka qenë 81 për qind, ku 60 për qind kanë votuar në favor të qëndrimit si pjesë e Francës.
Votimi u premtua si pjesë e një marrëveshjeje që erdhi pas një lëvizjeje për pavarësi të popullsisë autoktone kanake në vitet ‘80-‘90. Lëvizja u shoqërua me protesta të dhunshme dhe përplasje që patën edhe viktima.
Zgjidhja do të gjehej në vitin 1998, kur palët rivale nënshkruan një marrëveshje, në të cilën parashikohej që një referendum për shkëputje ose jo të zhvillohej 20 vite më vonë.
Refuzimi i shkëputjes mbërriti më tepër si pasojë e ndjenjës së fortë nacionale të popullsisë franceze, që përbën rreth 27 për qind të popullsisë totale të ishujve. Por, ky rezultat dhe marrëveshja e 1998 nuk pengon që për të njëjtën temë të zhvillohen referendume në të ardhmen, ku njëri prej tyre është parashikuar në vitin 2022.
Nëse Kaledonia e Re do të shkëputej, do të bëhej territori i parë që i shkëputej Francës që pas Xhibutit në vititn 1977.
Në muajin maj të këtij viti, ishujt u vizituan nga Presidenti francez, Emanuel Macron.
“Francës do të jetë më pak e bukur pa Kaledoninë e Re”, deklaroi ai, duke u zotuar para banorëve vendas se do të respektonte çdo rezultat të dalë nga votimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




