Nga Gazeta “SI”– Një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare, Kalaja e Kaninës, po i nënshtrohet një procesi restaurimi dhe rigjallërimi, i cili pritet të përfundojë më 25 prill 2026.
Me një histori që shtrihet që nga shekulli IV para erës sonë, kjo kala antike është shpallur monument kulture që prej vitit 1948 dhe sot përgatitet të rifitojë vendin që i takon në hartën turistike të vendit.
E vendosur vetëm 6 kilometra nga qyteti i Vlorës dhe 3 kilometra nga gjiri, Kalaja ngrihet mbi një kodër 380 metra mbi nivelin e detit, nga ku ofron një panoramë të jashtëzakonshme mbi bregdetin jugor. Ajo ndërtohet në lashtësi si një qendër e fortifikuar e bashkësisë ilire të Amantëve dhe gjatë gjithë ekzistencës së saj ka qenë një pikë kyçe strategjike në kontrollin e rrugëve detare dhe tokësore.

Në periudhën e antikitetit të vonë, muret rrethuese u rindërtuan, ndërsa në mesjetë (shek. IX–X), Kanina u shndërrua në një qendër kishtare dhe administrative. Ajo kaloi nëpër duart e shumë sundimtarëve – nga Bizantinët, Normanët, Anzhuinët e Serbët, deri tek principatat shqiptare të Muzakajve, Balshajve dhe Aranitëve.
Një prej figurave më emblematike që lidhen me këtë kala është Rugjina Balsha, sundimtarja e fundit shqiptare e Kaninës, e cila në vitin 1417, e braktisi atë pasi nuk mori ndihmën e premtuar nga Republika e Venedikut. Më pas, gjatë sundimit osman, dinastia e Vlorajve e vendosi këtu rezidencën e saj. Prej kësaj familjeje do të dilte edhe Ismail Qemali, burri i shtetit që shpalli pavarësinë e Shqipërisë më 28 nëntor 1912, vetëm pak kilometra më larg, në qytetin e Vlorës.
Muri rrethues i Kalasë ndjek relievin e kodrës dhe rrethon një sipërfaqe prej 3.6 hektarësh, ndërsa në fazat e ndryshme të ndërtimit ajo është pajisur me kulla me forma të ndryshme: katërkëndore, trekëndëshe, poligonale dhe gjysmërrethore. Fortifikimi ka njohur ndërhyrje në periudha të shumta që nga perandori Justiniani në shekullin VI, te sulltan Sulejmani në shekullin XVI, e deri te feudalët shqiptarë në shekujt XVII–XIX.
Sot, falë një projekti të mbështetur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Banka Botërore, Kalaja e Kaninës po merr jetë të re. Përveç ndërhyrjeve konservuese dhe strukturale, po implementohet një qasje bashkëkohore në interpretimin e sitit dhe përmirësimin e përvojës së vizitorëve, duke ruajtur me përpikëri identitetin historik të vendit.

Aktualisht, kalaja është e mbyllur për publikun për shkak të punimeve, por autoritetet premtojnë se pas përfundimit të restaurimit, ajo do të mirëpresë vizitorët më e bukur, më funksionale dhe më e sigurt se kurrë më parë.
Me një trashëgimi që sfidon kohën dhe me pamje që të lënë pa frymë, Kalaja e Kaninës pritet të bëhet një prej ndalesave më të rëndësishme për të gjithë ata që duan të prekin historinë nga afër dhe të zbulojnë rrënjët e qytetërimit shqiptar në brigjet e Jonit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.