Muzeu Etnografik në Kavajë dhe kalaja e Bashtovës janë dy prej siteve të përfshira në programin EU4Culture.
Kjo është bërë me dije nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila shton se është dhe promovim i trashëgimisë.
“Shumë shpejt pritet fillimi i punës për rehabilitimin dhe rijetëzimin e tyre, falë mbështetjes së European Union in Albania dhe zbatimit nga UNOPS. Promovim i trashëgimisë dhe sjellje në forma bashkëkohore, më pranë të rinjve”, thotë ministrja Elva Margariti.
Muzeu Etnografik i Kavajës është një nga monumentet më të vizituar në qytetin e Kavajës. Kjo banesë i përket ndërtimit të banesave me çardak.
Në qendër të banesës janë vendosur dy shtëpitë e zjarrit dhe anash tyre dy dhoma, kurse në ballin e tyre përgjatë këtyre katër ambienteve, shtrihet hajati.
Tavanet e saj në ambientin kryesor janë të punuara me dekor, dritaret në të dyja ambientet anësore kanë rrjetë druri, telajo xhamash, dhe kapakë druri.
Origjina e tij arkitektonike, gjithsesi, daton qysh nga antikiteti i vonshëm në tipologjinë e një villa rustica, shpesh e pranishme në rajon. Përmbajtja e muzeut është e përqendruar në tri aspekte: a) stili arkitekturor i ndërtesës dhe funksionet e ndarjeve që e përbëjnë atë, b) struktura sistematike e oxhakut, e dhomës së gjumit dhe e dhomës së miqve dhe c) fondi i përgjithshëm etnografik.
Kalaja e Bashtovës ngrihet pranë fshatit të Vilë-Bashtovës në një distancë prej 3-4 km, në veri të grykëderdhjes së lumit të Shkumbinit. Kështjella është ndërtuar në shekullin XV dhe u ka shërbyer venecianëve, për shkëmbime tregtare. Zona e Bashtovës është përmendur si një port lumor në Shkumbin, si dhe një qendër e eksportit të drithërave. Kalaja ka trajtë katërkëndore me përmasa 60 x 90 metra. Pjesa perëndimore e saj është rindërtuar në shekullin XVIII. E veçanta e kësaj kalaje është e vetmja në Ballkan e ndërtuar në fushë. Rrethinat e saj kanë mbetur të plota dhe sot ruhen si një monument kulture nga shteti shqiptar. Kalaja e Bashtovës është një monument kulture me vlerë që gjendet vetëm disa km jashtë Kavajës, dhe që dëshmon për gjurmët e qytetërimit dhe civilizimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.