Shendet

Kafeja, një aleat kundër diabetit, goditjes në tru dhe sëmundjeve të zemrës

Një studim zbulon se konsumimi i rregullt i kafeinës në sasitë e duhura mund të mbrojë kundër sëmundjeve kardiovaskulare

Gazeta Si - Në natyrë, kafeina është një substancë e prodhuar nga bima e kafesë si një mekanizëm mbrojtës.

Ajo funksionon si një "pesticid natyror", duke mbrojtur kundër insekteve dhe mund të pengojë rritjen e bimëve të tjera aty pranë, duke reduktuar kështu konkurrencën për burime të tilla, si uji dhe lëndët ushqyese në tokë.

Por mund të ketë edhe përfitime për njerëzit. Konsumimi i rregullt i kafesë dhe kafeinës në sasi të moderuar mund të ketë një efekt mbrojtës kundër zhvillimit të sëmundjeve të shumta kardio-metabolike, duke përfshirë diabetin e tipit 2, sëmundjet koronare të zemrës dhe goditjen në tru (ishemia), sipas një studimi të ri të botuar në "Journal of Clinical Endocrinology & Metabolism".

Në veçanti, konsumimi i moderuar duket i lidhur me një rrezik më të ulët të shfaqjes së re të multimorbiditetit kardio-metabolik.

Përgjigja e studiuesve

Studiuesit vunë re se, krahasuar me jo-konsumatorët ose konsumatorët e më pak se 100 mg kafeinë në ditë, konsumatorët e një sasie të moderuar kafeje (rreth 3 filxhanë në ditë) ose kafeinë (200-300 mg në ditë), kishin 48.1% ose 40.7% të reduktuar rrezikun për shfaqjen e multi-morbiditetit të ri kardio-metabolik.

Ata arritën në këtë përfundim bazuar në të dhënat nga "Biobank" në Mbretërinë e Bashkuar, një studim i madh gjatësor me mbi 500,000 pjesëmarrës të moshës nga 37 deri në 73 vjeç.

Për analizat mbi efektin e kafeinës, u krijua një kampion prej 172.315 individësh pa sëmundje kardio-metabolike, ndërsa për analizat e konsumit të kafesë dhe çajit, kampioni numëronte 188.091 individë.

Pse mbron

“Konsumimi i rregullt dhe i moderuar i kafeinës ka një efekt të rëndësishëm mbrojtës në zhvillimin e sëmundjeve kardiometabolike, si diabeti i tipit 2, sëmundjet ishemike të zemrës dhe goditjet cerebrale”, shpjegon Roberto Pedretti, profesor i Asociuar i Sëmundjeve Kardiovaskulare në Universitetin e Milanos-Bicocca si dhe drejtor i Departamentit Kardiovaskular në IRCSS MultiMedica në Sesto San Giovanni (Milano).

“Është treguar se kafeina ka një efekt të dobishëm në ndjeshmërinë ndaj insulinës dhe në uljen e niveleve të lipoproteinave me densitet të ulët (LDL), kjo e fundit është një faktor shkaktar në aterosklerozën. Mekanizmat që qëndrojnë në themel të efektit mbrojtës nuk janë sqaruar, ka të ngjarë që ato të ndërmjetësohen nga një ndikim i favorshëm në metabolizmin e lipideve, veprim antioksidues dhe anti-inflamator. Për më tepër, inflamacioni kronik i shkallës së ulët, është një tipar dallues dhe i zakonshëm që qëndron në themel të zhvillimit të sëmundjeve kardiometabolike”.

Nëse vuani nga hipertensioni

Kafeja, ashtu si çaji, është konsumuar prej qindra vitesh dhe është bërë pjesë e rëndësishme e traditave kulturore dhe jetës shoqërore.

Ndër aspektet më të debatuara të kësaj pije shumë të pëlqyer është shqetësimi se ajo rrit presionin e gjakut.

“Edhe pacientët me hipertension arterial mund të marrin sasi të moderuar të kafeinës në ditë”, qetëson kardiologu, “pasi është treguar se presioni i gjakut nuk ndryshon në terma afatgjatë tek konsumatorët e rregullt të kafesë. Kafeina, në fakt, mund të shkaktojë një rritje të presionit të gjakut në një afat të shkurtër, i cili më pas zhduket për shkak të një efekti tolerance. Është ndryshe ta konsiderosh kafeinën si një trajtim parandalues, për t'u përfshirë në zakonet e atyre që nuk e konsumojnë kafeinën rregullisht. Provat aktuale shkencore nuk e justifikojnë marrjen e tyre nga ky këndvështrim".

Sa filxhanë duhen pirë

Autoriteti Europian i Sigurisë Ushqimore (EFSA), ka përcaktuar kufijtë e 400 mg kafeinë në ditë (5 ekspres në ditë) për të rriturit, burrat dhe gratë që nuk janë shtatzënë ose ushqehen me gji dhe 200 mg në ditë (2-3 ekspres në ditë) për gratë shtatzëna dhe gjidhënëse”, vijon Pedretti.

"Megjithatë, ne konsiderojmë gjithashtu ndryshimin individual në ndjeshmërinë ndaj kafeinës, pasi të gjithë e metabolizojnë atë në periudha të ndryshme".

Një kuriozitet

Së fundmi, pavarësisht nga emrat e tyre të ndryshëm, kafeina dhe teina janë të njëjta kimikate. Efektet e perceptuara mund të ndryshojnë në varësi të pijes, për shkak të pranisë së substancave të tjera që ndikojnë në përthithjen dhe efektin e kafeinës.

Për më tepër, kafeja ka një efekt më të shpejtë dhe më intensiv, ndërsa çaji mund të ofrojë stimulim më të butë dhe më gradual.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë