Njerez

Kadare, një jetë pranë Nobelit por pa e prekur dot atë

Nga Gazeta ‘Si’ - “Përpiqem të ngushëlloj veten se popujt energjikë si grekët e vjetër dhe hebrenjtë kanë qenë të tillë si ne plot trazim, por për shqiptarët ndodh kështu se ata në gjirin e tyre kanë shumë zemërim, inate dhe xhelozi”, do të shkruante Ismail Kadare në librin e tij “Dantja i Pashmangshëm” për atë që sëvoni rezultoi të ishte e vërtetë lidhur me krijimtarinë e tij.

Nominimi rishtaz i Kadaresë për çmimin Nobel, vitet e fundit nuk përbënte më lajm. Megjithëkëtë, lajmi se Akademisë së Shkencave suedeze i ishin dërguar gati 45 mijë letra të cilat lobonin që ai të mos merrte këtë çmim, ngjalli aludime të shumta para do muajsh me gazetarë, lexues e analistë që përzien matricat letrare e jashtëletrare të figurës së tij.

Kadare, i nominuar 15 herë për Nobelin nuk arriti kurrë që të renditej bri nobelistëve të çmimit më të madh botëror në fushën e letrave prej 121 vitesh. Vitet e fundit porse edhe pritshmëritë e vetë atij ishin minimizuar.

“Pallati i Ëndrrave”: Vepra që i shtroi rrugën drejt Nobelit

Nën diktaturën më shtypëse në botë, një kohë e cila orientonte dhe frymëmarrjen e letërsisë, Kadare arriti të krijonte një tjetër univers paralel me “Pallatin e Ëndrrave”, shkruar në 1981-shin.

Një nga romanet më thelbësore të tij, me frymën e epikës të cilën letërsia europiane e ka listuar mes veprave më të mira, ky libër ishte nxitja e Kadaresë që të përfshihej në listën e kandidaturave për Nobelin.

Sipas shumë kritikëve letrarë, Kadare do ta meritonte atë çmim edhe sikur të kishte shkruar vetëm këtë vepër si hipotezë mbi historinë e vërtetë të viktimave të vrasjeve të mëdha ose mbi atë pagjumësi kolektive që perandoria otomante nuk mund të tolerojë.

Si e tillë, kjo vepër ende vazhdon të lexohet me ëndje dhe rrok një numër të madh interpretimesh. Krahas saj, një vepër poaq e komentuar nga kritika botërore është edhe “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur".

Shumë e kanë konsideruar të vonuar këtë çmim edhe për faktin se Kadare sjell jo pak herë në shkrimet e tij faktet për vjetërsinë e gjuhës shqipe.

Në shumë prej tyre ai fakton se romanet e letërsisë shqipe janë botuar në latinisht që në shekullin e 15-të dhe ndaj kritikët arysetojnë se ky vlerësim për letërsinë shqipe në korpusin e madh të letërsisë botërore është i vonuar.

“Nuk kam më asnjë përjetim, para 40 vitesh edhe mund të kisha”

Në 10 tetorin e 2019-s emri i Kadaresë u diskutua më shumë se çdo vit tjetër për të marrë Nobelin. Atëbotë do të jepeshin dy çmime. Për 2018-ën e mori polakja Olga Tokarczuk dhe në 2019-ën Peter Handke.

Zhgënjim pati edhe në 2022-shin, më shumë për lexuesit se sa për vetë Kadarenë.

I ulur në një nga lokalet në zonën e Liqenit Artificial në Tiranë me bashkëshorten dhe miqtë e tij, Kadare tha me apatizëm se nuk kishte asnjë përjetim që përsëri nuk kishte mundur të fitonte këtë çmim.

“Siç e shikoni nuk kam ndonjë përjetim. 40 vjet më parë edhe mund të kisha”, deklaroi Kadare.

Ndërsa bashkëshortja Helena nuk kurseu “jurinë” për të cilën tha se ishte e njëjta prej 40 vitesh dhe se nuk mund të prisnin asfarë gjëjë ndryshe.

Kadare në 2022-shin kur reagoi me apatizëm ndaj Nobelit

Zor të gjesh një shkrimtar të nominuar kaq herë

Që nuk e ka fituar çmimin “Nobel”, mund të radhiten shumë arsye, pavarësisht se askush nuk mund të thotë me saktësi arsyen e vërtetë.

Fakt është që, duke u nisur nga përvoja botërore e nominimeve, Ismail Kadare përbën vërtet një histori më vete dhe të rrallë të këtij çmimi. Vështirë të gjesh në historinë e dhënies së këtij çmimi një shkrimtar tjetër që të jetë nominuar kaq shumë herë dhe t’i jetë afruar kaq shumë titullit.

Megjithatë, kritikët në këto kohë ndasish të mëdha, tipikisht kanë qenë në një mendje lidhur me rolin e tij si një pikë e rëndësishme referimi e letërsisë bashkëkohore dhe gërshetimin fantastik të mitologjisë dhe rrëfenjave të Ballkanit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë