Kolegji Zgjedhor mblidhet ditën e hënë për të vendosur mbi vlefshmërinë e 30 qershorit si datë zgjedhjes apo jo. Vendimi do të merret nga trupa prej pesë gjyqtarëve e përbarë nga Ridvan Hado, Tomor Skreli, Artur Malaj, Lindita Sinanaj dhe Astrit Kalaja.
Pavarësisht se cili do të jetë vendimi i Kolegjit në lidhje me dekretin e Presidentit Ilir Meta, që sipas Presidencës dhe opozitës anulon 30 qershorin si datë zgjedhjesh, pak peshë pritet të ketë në zgjidhjen e krizës politike.
Presidenti Meta thotë se dekreti i nxjerrë prej tij mund të shqyrtohet vetëm në Gjykatën Kushtetuese, ai duhet të zbatohet nga të gjithë dhe ka paralajmëruar institucionet dhe personat që nuk i binden me pasoja ligjore. Të njëjtin mendim me Metën ndan edhe koalicioni opozitar, që në përpjekje për të ndalur mazhorancën nga zhvillimi i procesit ka aktivizuar protesta në bashkitë e kontrolluara prej tij kundër KZAZ-ve.
Por, mazhoranca e cilëson antikushtetues dekretin e Metës, për rrjedhojë me efekt nul ligjor. Si kundërpërgjigje, socialistët rrëzuan në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dekretin presidencial, ndërkohë që në Parlament ka nisur procedurat e shkarkimit të Presidentit me arsyetimin e “shkeljeve të rënda të Kushtetutës”.
Kolegji Zgjedhor u vu në lëvizje pas ankimimit të Partisë së Unitetit Kombëtar. Kjo forcë politike, e regjistruar për zgjedhjet e 30 qershorit paraqiti një kërkesë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për t’u ç’regjistruar me arsyetimin se dekreti i Metës i botuar në Fletoren Zyrtare e shfuqizon këtë datë.
Në bazë të vendimmarrjes së tij, për mosnjohje të dekretit Presidencial, KQZ rrëzoi kërkesën e kësaj partie për t’u çregjistruar. Vendimi i Kolegjit Zgjedhor, cilido qoftë ai pak efekt të ketë në zbutjen e krizës politike, pasi palët qëndrojnë edhe më të përforcuara në llogoret e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



