Nga Gazeta Si- Aktualisht, në vendin tonë nuk ka institucione mjekësore të posaçme jashtë sistemit të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale, të cilat të shërbejnë për trajtimin e personave me çrregullime të shëndetit mendor që kanë kryer vepra penale. Pacientët psikiatrikë mjeko -ligjorë meshkuj, në Shqipëri, janë akomoduar përkohësisht në IEVP Lezhë. Për shkak të mungesës së hapësirës në objektin e përkohshëm, pacientet gra qëndrojnë në Spitalin e Burgut të Tiranës.
Kjo ka sjellë dhe një sërë problemesh më tej, ku një ndër to është mbipopullimi.
Sipas një auditimi të fundit nga KLSH, Të drejtat e personave të dënuar dhe me masë mjekësore nuk janë respektuar.
“Pavarësisht rekomandimeve të vazhdueshme të Avokatit të Popullit, Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës, si dhe organizatave ndërkombëtare e atyre vendase, kjo situatë ende nuk ka gjetur një zgjidhje konkrete nga bashkëpunimi jo i mjaftueshëm i Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe i Mbrojtjes Sociale të cilat ja kalojnë përgjegjësitë njëra tjetrës”, shkruan KLSH.
Në këtë aspekt, mbyllja e të dënuarve me probleme të shëndetit mendor në institucione të veçanta brenda sistemit penitenciar, përbën dhunim të rëndë të të drejtave të tyre, duke i vendosur ata në një formë të përjetshme të privimit të lirisë, kjo pasi, gjendja e papërgjegjshmërisë mendore të atyre që janë kronikë mund të zgjasë gjithë jetën dhe si rrjedhim edhe izolimi në institucione të veçanta do të ishte i përjetshëm.
Prania e hekurave dhe rojeve të armatosur krijon një atmosferë shtypëse, jo të favorshme për natyrën e një mjedisi terapeutik, apo mjekësor, vëren KLSH.
Një tjetër problematikë e qenësishme e konstatuar është mbipopullimi, i cili vjen si pasojë e rritjes së numrit të personave me masë mjekësore.
Sipas verifikimeve të KLSH, kapacitetet akomoduese janë të pamjaftueshme për të përballuar numrin e personave të akomoduar në Lezhë, por dhe për trajtimin e tyre në bazë të protokollit shëndetësor. Hapësira dhe sipërfaqja e dhomave nuk i përgjigjej parametrave teknik dhe jetësor që i takon çdo personi siç është sanksionuar në aktet ligjore, nënligjore e ndërkombëtare.
Si pasojë e mbipopullimit, shpeshherë këta individë ishin të vendosur në dhoma të mbingarkuara, me pacientë të cilët kanë sindroma psikosomatike (çrregullime mendore që manifestohen me simptoma fizike), model sjelljeje dhe çrregullime mendore nga më të ndryshmet dhe të përshkallëzuar.
Në IEVP Lezhë, aktualisht, janë akomoduar rreth 420 pacientë me masë mjekësore “mjekim i detyruar” dhe “shtrim i përkohshëm”.
Shifra prej 420 të akomoduarve sot në burgun e Shën Kollit në Lezhë do të reduktohet nëse do të zbatohej në kohë ligji për rishikimin e masës mjekësorë “mjekim i detyruar” dhe “shtrim i përkohshëm” nga gjykatat. Sipas ligjit të shëndetit mendor rishikimi duhet bërë brenda vitit por edhe pse administrata e Burgut të Lezhës ua ka kujtuar me një shkresë të gjitha gjykatave të rretheve, kjo nuk ka ndodhur.
“Institucioni, nëpërmjet një vlerësimi të brendshëm, raporton se rreth 58 pacientë të dënuar me masë mjekësore “mjekim i detyruar” dhe 65 pacientë të dënuar me masë mjekësore “shtrim i përkohshëm”, plotësojnë tre kriteret bazë për të kaluar në mjekim ambulator nën kujdesin e familjarëve. Po kështu, edhe 67 shtetas me masë mjekësore që kanë kryer vepra të lehta, të cilët ruajnë kontakte të rregullta me familjarët e manifestojnë sjellje e qëndrime të rregullta në institucion mund të kenë mundësi të mira për të vijuar trajtimin ambulator pranë familjeve”, thuhet në raport.
Krahasimisht me vende të tjera të rajonit, si për shembull Kosova, vendi ynë ende është larg objektivit të garantimit të të drejtave të këtyre individëve në një strukturë të posaçme të dedikuar për ta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.