Nga Nick Obradovich- Ne jemi në luftë kundër koronavirusit. Nëse nuk veprojmë me shpejtësi, SHBA-ja mund të ketë një numër viktimash më të madh se ai i dy luftërave botërore së bashku. Për të luftuar një ushtri të padukshme, duhet të jemi edhe të përgatitur. Ka ardhur koha që të përdorimin ushtrinë, por jo për të sulmuar, por për t’u mbrojtur.
Ndryshe nga shumica e luftërave, kësaj radhe betejat po zhvillohen në spitale dhe në vijat e frontit janë mjekët. Por në këtë situatë kritike, ushtria është e vetmja që mund të koordinojë mbrojtjen.
Ne nuk jemi të armatosur siç duhet. Ne kemi nevojë për shtretër. Ne kemi nevojë për spitale. Ne kemi nevojë për ventilatorë. Dhe të gjitha këto nevoja nuk mund t’i koordinojnë punonjësit e kujdesit shëndetësor.
Koronavirusi ka të ngjarë ta zhysë botën në “gjendje lufte” për një vit. Ndërkohë që profesionistët mjekësorë po bëjnë përpjekje heroike, askush nuk mund të punojë 24 orë në ditë për një periudhë të pacaktuar. Mjekët, infermierët, teknikët, personeli ndihmës dhe madje rojet e spitalit do të lodhen dhe sëmuren kur të kemi nevojë më së shumti.

Për fat të mirë, ne nuk jemi të parët që përballemi me dështimin e sistemit tonë të kujdesit shëndetësor në duart e këtij virusi. Kina, jep shembullin më të mirë të një reagimi agresiv, të koordinuar dhe efektiv për të ndaluar me sukses përhapjen e virusit.
Pasi kuptoi rraskapitjen e mjekëve në Wuhan, qeveria kineze solli stafin ushtarak nga i gjithë vendi për t’i ndihmuar. Ishte ushtria ajo që organizoi punonjësit e tjerë, përfshirë recepsionistët për të shërbyer në role asistente mjekësore. Kina e arriti këtë sepse vetëm ushtria mund të komandonte dhe koordinonte shërbimet e dhjetëra mijëra punonjësve.
Në SHBA, shumica e qyteteve kryesore do të kenë spitale të tejmbushura. Vija e parë e betejës do të jetë kudo. Dhe do të ketë pak mjekë për të luftuar.
Atëherë, çfarë duhet të bëjmë?
Ushtria mund të rrisë në mënyrë dramatike aftësinë tonë të kujdesit shëndetësor. Ata mund të luftojnë këtë virus, pavarësisht nuk është pjesë e detyrave të tyre tradicionale. Anëtarët e ushtrisë janë të trajnuar për të trajtuar stresin akut, janë të adaptueshëm dhe mund të zhvendosën nga një spital në tjetrin, ndryshe nga mjekët. Ata janë mësuar të jenë nën komandë dhe janë të përgatitur mendërisht të jenë larg familjeve të tyre për të mbrojtur vendin.

Duhet të shfrytëzojmë çdo mjek ushtarak për t’i ardhur në nevojë ekipit mjekësor. Anëtarët e tjerë të shërbimit ushtarak mund të trajnohen për të ndihmuar infermierët, mjekët e kujdesit dhe teknikët e mirëmbajtjes. Nuk kemi nevojë të militarizojmë spitalet. Por spitalet do të kenë nevojë për ndihmë nga ushtria.
Ushtria mund të vendosen atje ku ngarkesa është më e madhe. Ata mund të monitorojnë pacientët. Ata mund të monitorojnë pikat e kontrollit në hyrje të spitalit. Dhe ato mund të ndihmojnë në menaxhimin e procedurave të inventarit dhe dezinfektimit të pajisjeve. Më tej, ushtarakët mund të rrisin kapacitetin e shërbimeve të ambulancës ajrore dhe tokësore.
Po ashtu ushtria ka një avantazh në luftën kundër koronavirusit: ushtarakët janë të rinj dhe të aftë. Dhe siç raporton Kina, individët e rinj dhe të shëndetshëm kanë më pak të ngjarë të kenë nevojë për trajtime mjekësore nëse infektohen.
Kjo është kriza më e rëndë pas luftës së dytë botërore dhe ne kemi nevojë për një përshtatje të pashembullt për të shpëtuar jetë. Le t’i përgatisim anëtarët e shërbimit ushtarak dhe t’i çojmë në vijën e parë të betejës, në krah të mjekëve.
*Nick Obradovich është një profesor i Shëndetit Publik në Universitetin e Harvardit
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



