Futboll

Juventusi me 10 vetë ndalet nga Empoli, Ismajli i jep një asist për kreun Asllanit

Gazeta Si – Ndeshja në ‘Stadium’ u kushtëzua nga kartoni i kuq i Milik vetëm pas 18 minutash lojë. Juventusi udhëheq renditjen, +2 nga Interi, që ka dy ndeshje më pak dhe nesër mund të marrë kryesimin, nëse fiton në Firence ndaj Fiorentinës.

Ka përfunduar 1-1 takimi mes Juventusit dhe Empolit, ku bardhezinjtë dështuan në tentativën për t’u shkëputur më shumë nga Interi. Milik la fushën pas 18 minutash. Polaku u ndëshkua me karton të kuq për shkak të një ndërhyrjeje të ashpër me taka ndaj Çerrit.

Pesë minuta pas filimit të pjesës së dytë, Vlahoviç kaloi Juventusin në avantazh në zhvillimet e një goditjeje këndi. Ai ishte më i miri për torinezët, duke mbajtur i vetëm peshën e sulmit. Empoli barazoi 20 minuta para fundit me Baldancin. Alegri është i pari, por skuadra e tij ka dy ndeshje më shumë.

Ardian Ismajli luajti një ndeshje shumë të mirë me Empolin. Nga lojtarët shqiptarë vetëm ai ishte titullar tek Empoli, kurse Berisha dhe Shpendi ishin në stol. Me këtë barazim Ismajli i jep një asist shokut të Kombëtares, Kristjan Asllanit, që pritet titullar ndaj Fiorentinës. Nëse Interi i tij fiton në Firence, merr vendin e parë në Serinë A.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë