Nga Gazeta ‘Si’- Një nga surprizat më befasuese të 11 majit ka ndodhur në qarkun e Tiranës: Jorida Tabaku, një nga figurat kryesore të Partisë Demokratike, mund të mbetet jashtë Parlamentit në mandatin e ri.
Ndarja e mandateve 19 me 13, ka bërë që PD nga lista e hapur të fusë vetëm 1 deputet, dhe momentalisht më e votuara është Jorida Tabaku por kjo ka ndryshuar herë pas here, duke kaluar para mjeku Ilir Alimehmeti.
Aktualisht, sipas të dhënave të KQZ, Tabaku kryeson me 9436 vota ndërsa Alimehmeti me 8948.
Megjithatë, rezultati mund të ndryshojë sepse nuk janë numëruar edhe 1282 kutitë dhe diferenca është e ngushtë.
Tabaku ka deklaruar se do të japë koment pasi të mbarojë i gjithë numërimi, megjithatë, në një lidhje live nga qendrat e votimit, e cilësoi këtë proces zgjedhor si të parregullt.
“Ka qenë një garë e pabarabartë, si në përballje me kundërshtarin dhe në mënyrën si është zhvilluar. Të jesh në listë të hapur, të jesh grua dhe të bësh fushatë në 5 bashki të qarkut Tiranë është strapacuese”, tha shkurt ajo.
Shkak që PD të humbte mandatin u bë Partia Mundësia e cila arriti të sigurojë mandatin e saj të dytë në Tiranë, duke i dhënë një vend në Kuvend edhe Erald Kaprit, përveç Agron Shehajt.
Ky rezultat ngushtoi ndjeshëm hapësirat për koalicionin PD-ASHM, i cili tashmë ka të garantuar vetëm një mandat jashtë listës së mbyllur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.