Nga Gazeta ‘SI’ – Deputetja demokrate Jorida Tabaku i ka dërguar Kuvendit propozimin për të miratuar Statusin e Minatorit.
Draftligji ofron mbrojtjte sociale të veçantë për minatorët dhe mbështetje financiare më të lartë, si pasojë e punës së tyre me rrezik.
Drafti propozon që paga e minatorëve nuk mund të jetë më pak se dyfishi i pagës minimale kombëtare dhe pensioni të jetë 3% shtesë për çdo vit shërbimi mbi kufirin minimal të përcaktuar për pensionin bazë.
Minatorët të cilët kanë punuar të paktën 10.5 vjet nëntokë mund të dalin në pension përpara 25 vjet punë por jo më pak se 20 vite. Për ata që kanë përfituar pension të plotë ose invaliditeti, për ata që kanë dalë të papunë nga mbyllja e minierave përpara hyrjes në fuqi do të përfitojnë 50% të kësaj mase. Në asnjë rast pensioni nuk mund të jetë më i vogël se 130% e pagës minimale.
Sipas dokumentit, kërkohet që minatorët në periudhë papunësie të përfitojnë shpërblim në masën e pagës minimale duke shtuar dhe masën për vjetësi në punë për një periudhë 5 vjeçare. Minatorët e papunë, kanë prioritet për ripunësim në të njëjtim sektor apo sektor të tjerë.
Familja e minatorit që aksidentohet me vdekje gjatë kohës së punës, përfiton pension familjar në masën 50% të pagës së tij referuese, pavarësisht nga periudha e sigurimit. Ky pension indeksohet njëlloj si pensionet e tjera. Fëmijëve të përfituesve të këtij statusi, që janë aksidentuar më parë ose pas daljes së këtij ligji me vdekje në punë, kur ndjekin arsimin e lartë shteti u garanton bursë, thotë drafti.
Projektligji parashikon edhe trajtimin shëndetësor të minatorëve, të cilët përfitojnë shërbim falas kur janë sëmundje që vijnë direkt apo indirekt nga puna, brenda ose jashtë vendit.
Financimi i kurimit jashtë vendit bëhet nga: a) buxheti i shtetit për ish-minatorët b) 50 përqind nga buxheti i shtetit dhe 50 përqing nga punëdhënësi për minatorët.
Barnat për kurimin e sëmundjeve të përfituesve të këtij statusi janë plotësisht të rimbursueshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



