Dosje

Jo vetëm mes bananeve, droga fshihet në 50 produkte. Një ‘radiografi’ si funksionon trafiku (edhe i shqiptarëve) në portet e Ekuadorit

Jo vetëm bananet përdoren për dërgesa të mëdha droge nga Ekuadori. Kartelet meksikane dhe shqiptare, të cilat janë organizatat kryesore kriminale në portet e vendit amerikanolatin, janë kthyer në një listë të madhe produktesh për biznesin e tyre të paligjshëm. Ndërkohë Evropa po konsolidohet si destinacioni kryesor

Gazeta Si - Bananet janë produkti më i përdorur për transportin e lëndëve narkotike nga Ekuadori drejt Europës, Azisë apo Amerikës Latine.

Nga viti 2018 deri në qershor të këtij viti, 46% e lëndëve narkotike të gjetura në porte, ishin me ngarkesa të këtij fruti, një nga produktet kryesore të eksportit të vendit.

Por nuk është i vetmi mall: trafikantët përdorin gjithçka, nga mallrat e konservuara, deri te tualetet dhe makineritë për këtë qëllim.

Sipas të dhënave të fundit nga Njësia e Hetimit të Porteve dhe Aeroporteve të Policisë Kombëtare (Unipa), të aksesuara nga shtypi ekuadorian, rreth 50 produkte kombëtare të eksportit janë përdorur nga organizatat ndërkombëtare të trafikut të drogës për biznesin e tyre në rritje.

Në periudhën janar-qershor të këtij viti, policia ka sekuestruar 21.6 tonë drogë në porte, që përbën rreth 25% të totalit të drogës së sekuestruar në shkallë vendi në të njëjtën periudhë.

Droga që largohet nga portet e Ekuadorit vazhdon të rritet. Në vitin 2022, pothuajse 40% e 201 tonëve të sekuestruara atë vit në të gjithë vendin u gjetën në kontejnerë.

Në vitin 2021, ishte 26%. Deri në fund të vitit 2023, pritet një shifër e ngjashme me atë të vitit 2022.

Deri më 15 nëntor, Policia e Ekuadorit kishte sekuestruar në mbarë vendin pothuajse 190 tonë drogë, vlera e përafërt e së cilës është 369 milionë dollarë.

Ky biznes shumëmilionësh i shtyn organizatat kriminale të përdorin strategji të reja për të arritur objektivin e tyre.

Në Ekuador, pas bananeve, peshku ton është produkti i dytë më i përdorur për transport të kamufluar të drogës.

Në më shumë se pesë vjet, policia ka gjetur 20 tonë të kamufluar në këto kontejnerë. Edhe pse është një shifër më e ulët se ajo e bananeve: 90 tonë në të njëjtën periudhë.

Dhjetëshen e parë e plotësojnë druri, kakao, ananasi, karkaleci, peshku, ushqime natyrale dhe ushqime të konservuara.

Në rastin e ananasit, kohët e fundit u publikua një histori, se si një bos kolumbian, një aleat i kartelit të zhdukur në Medellín, e bëri portin e Guayaquil qendrën e tij të operacioneve, pasi pagoi një dënim në SHBA për trafik droge dhe pastrim parash.

Ky narko-trafikant bëri dërgesa të mëdha droge në ananas të rremë të përzier dhe me ananas të vërtetë nga Guayaquil në Evropë, për një dekadë.

Ai u nda nga jeta në vitin 2020. Por mafiet kanë përdorur edhe plastikë, silikat kalciumi, qeramikë, skrap, drithëra, kallamar, tualete, çaj guajusa, materiale ndërtimi, ushqim për karkaleca, e madje edhe polipropilen (një lloj plastike).

Nga viti 2018 deri në qershor të këtij viti, në këto kontejnerë është gjetur drogë në sasi mbi një ton. Por ka edhe 29 produkte të tjera që janë përdorur më rrallë. Midis tyre janë mielli, brokoli, makineritë, zemrat e palmës dhe madje edhe ari.

Pjesa më e madhe e drogës së kapur në portet e Ekuadorit shfaqet e paketuar në pako një kilogramësh, të cilat kanë marka të ndryshme në varësi të organizatës kriminale që dërgon këtë lloj lënde.

Sipas nënkolonelit Guillermo Palacios López, shefi antidrogë i Guayaquil (Zona 8), organizatat kriminale punësojnë gjithashtu ekspertë kimikë për të transformuar drogën në një gjendje të lëngshme dhe në këtë mënyrë përdorin produkte të tjera për t'i kamufluar, si p.sh. melasa, një lloj guri ranor që përdoret si bluarës.

Por këto raste janë më pak të shpeshta. Ai shtoi se kartelet meksikane dhe ato shqiptare kanë prezencën më të madhe në portet e Ekuadorit.

Contecon dhe Posorja, portet që drejtojnë dërgesat

Contencon mbetet në vendin e parë në mesin e porteve nga ku trafikohet më shumë drogë nga Ekuadori. Vetëm ajo përbën 63% të lëndëve narkotike të sekuestruara në shtatë portet e vendit. Mes viteve 2018 dhe 2023, aty janë regjistruar 217 raste dhe janë gjetur 123 tonë drogë.

Terminali i Portit Guayaquil, i njohur më mirë si TPG, Naportec-Bananapuerto dhe Fertisa, janë porte të tjera që, së bashku me Contecon, e bëjnë Guayaquil qytetin- port ekuadorian që eksporton më shumë drogë në tregjet ilegale ndërkombëtare.

Porti inteligjent i ujërave të thella Posorja, i vendosur në famullinë rurale me të njëjtin emër në Guayaquil, u inaugurua në vitin 2019.

Por ai është përshkallëzuar shpejt në sasinë e drogës së kapur. Në vitin 2020 dhe 2021, policia gjeti më shumë se dy tonë drogë çdo vit.

Por në vitin 2022, ajo “kapërceu” në 21 tonë dhe midis janarit dhe qershorit të këtij viti 2023, regjistroi 4.2 tonë. Në total, Posorja ka shtuar më shumë se 30 tonë dhe ndodhet pas Contecon.

Nënkoloneli Palacios shpjegoi se trafiku i drogës përdor zinxhirin e tregtisë së jashtme për këtë biznes të paligjshëm, si për shembull kompanitë e eksportit dhe importit, kompanitë e transportit detar dhe logjistikën në porte. Në rastin e shoqërive, një nga karakteristikat e tyre është se në përgjithësi ato janë krijuar kohët e fundit.

Sipas oficerit të lartë, hetimet policore kanë arritur të gjejnë jo vetëm personat që kryejnë role logjistike, të cilët përbëjnë hallkën më të ulët të zinxhirit.

Ai pretendon se kanë ndaluar deri në 35 persona nga një objekt i vetëm. Për ta bërë këtë, ata ndajnë informacione me bashkë-homologët e tyre në Evropë për të përcaktuar rrugën e drogës. Policia ka një qendër për analizën e modaliteteve dhe produkteve të përdorura për transportin e drogës.

Mesatarja vjetore e personave të ndaluar në porte është 75, ku Contencon është ai me më shumë arrestime: 99 në më shumë se 5 pesë vjet. Qeveria e ish-presidentit Guillermo Lasso urdhëroi instalimin e skanerëve për të rishikuar ngarkesën që hynte në porte.

Fillimi i funksionimit të tij ishte planifikuar për në javën e parë të muajit nëntor, por deri më tani nuk dihet ecuria e kësaj mase.

Evropa, tregu i padiskutueshëm për drogën ekuadoriane

Nga viti 2018 deri në qershor të këtij viti, autoritetet kanë sekuestruar 196 tonë drogë në portet e Ekuadorit.

Nga kjo shumë, 72% ishte e destinuar për në Evropë. Vendi që kryeson këtë listë është Belgjika. Më shumë se 50 tonë kërkonin të dërgoheshin në portet belge, kryesisht në Antwerp.

Vendin e dytë e zë Holanda (31 tonë), e ndjekur nga Spanja (13). Në vendin e katërt është Guatemala (6.6), duke qenë i vetmi vend i Amerikës Latine në 10 vendet e para.

Pas tyre vijnë Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Suedia, Rusia dhe Franca. Duhet theksuar se ka një përqindje të lartë të drogërave të gjetura në portet që nuk regjistrojnë një destinacion.

Më 25 gusht, Spanja raportoi sekuestrimin e ngarkesës më të madhe të kokainës që mbërriti në atë vend në të gjithë historinë e saj.

Në një kontejner me banane ishin fshehur 9.5 tonë, të ardhur nga Ekuadori. Droga mbërriti në portin e Algeciras, por destinacioni i fundit i saj ishte Portugalia.

Nga Ekuadori, u largua nga porti Bolívar, në Machala. Bolívar është në vendin e tretë në mesin e porteve me më shumë drogë të kapur nga policia.

Nuk është rasti i vetëm. Korrikun e kaluar, Belgjika sekuestroi pothuajse shtatë tonë kokainë në portin e Antwerp-it të fshehur në kuti me banane.

Ishte gjithashtu dërgesa më e madhe e drogës e gjetur në vitin 2023 deri në atë moment dhe erdhi nga Ekuadori.

Kjo situatë ka ngjallur shqetësimin e autoriteteve në ato vende. Shkurtin e kaluar, Komisionerja Evropiane për Çështjet e Brendshme, Ylva Johansson dhe Ministrja Belge e Brendshme, Annelies Verlinden, mbërritën në Kuito për të forcuar bashkëpunimin midis policisë ekuadoriane dhe asaj belge për kontrollin kundër trafikut të drogës.

Në mënyrë të ngjashme, Turqia raportoi më 27 tetor sekuestrimin e 610 kilogramëve kokainë në një kontejner me banane nga Ekuadori.

“Forcat tona kundër narkotikëve, të cilët morën informacione se kokaina ishte vendosur në pako me banane nga Ekuadori, ndoqën rrugën ndërkombëtare të kontejnerit. Kur droga mbërriti në portin e Mersinit, filloi operacioni”, tha ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya.

Pikërisht në Stamboll, u arrestua edhe bosi shqiptar Dritan Rexhepi, i cili pasi u arratisjes nga Ekuadori, vazhdoi të jetonte një jetë luksoze në Turqi.

Për shefin kundër narkotikëve të Guayaquil, këto bastissje në Evropë kanë pasur bashkëpunimin e Policisë së Ekuadorit.

“Kemi koordinim dhe bashkëpunim me homologët tanë nga vendet e tjera, i cili ka qenë efektiv dhe efikas në atë që ne u japim informacione dhe janë ata që kryejnë punën operative dhe padyshim që arrihet kapja e drogës”.

Palacios pohon se agjentët e policisë bëjnë punën e profilizimit kriminal dhe kjo i shërben policisë së vendeve të destinacionit të dërgesave të paligjshme.

Sipas të dhënave të Unipa-s (Njësia Hetimore e Porteve dhe Aeroporteve në Policinë Kombëtare Ekuadoriane), të paktën 50 vende janë destinacionet për drogën që largohen nga Ekuadori.

Mes tyre figuron edhe Shqipëria, që sipas grafikut të publikuar nga autoritetet ekuadoriane, është trafikuar të paktën 100.423 kg në 3 raste, nga viti 2018 deri në 2023-in.

Bëhet fjalë për sasi të kapura nga autoritetet portuale, pa përfshirë rastet që lëndët narkotike nuk janë zbuluar dhe kanë shkuar në destinacionet e tyre për trafikim.

Përveç Shqipërisë, edhe në Bullgari e Kroaci janë regjistruar respektivisht 1 dhe 5 raste të trafikimit të drogës nga Ekuadori në portet e tyre. Unipa thekson se në Bullgari është transportuar në një rast 948.100 kg, ndërsa në Kroaci, 904.174 kg në 5 raste.

Përveç vendeve evropiane të përmendura, këto dërgesa po arrijnë edhe në Azi, ku dallohen Kina dhe India; dhe në Afrikë, ku dallohen Libia dhe Tunizia.

Gjithashtu edhe në vendet e Lindjes së Mesme, si Arabia Saudite. Ndër vendet e Amerikës Latine janë Guatemala, Meksika dhe Kili. Ekuadori shfaqet në listë si tranzit. Kjo ka një shpjegim, sipas nënkolonelit Palacios.

Ndodh kur droga arrin destinacionin e saj, por nuk zbulohet apo grumbullohet. Më pas kthehet në kontejner në vendin e origjinës, në këtë rast në Ekuador dhe aty bëhet kontrolli dhe gjendja e drogës. Këto raste janë sporadike, thotë oficeri i lartë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë