Deputeti socialist, Erion Braçe thotë se këto ditë ka abuzime me çmimet në të gjithë tregun dhe jo vetëm në atë të naftës.
“Është punë dhe duhet bërë tani! Bëhet bashkë me qytetarët që përballen të parët me abuzimin, qeveria, agjencitë ligjzbatuese fiskale, ato me detyra inspektimi të tregut, agjencitë ligjzbatuese që kanë shënjestër krimin ekonomik. Abuzimi me çmimet e ushqimeve po godet konsumin dhe standardin e jetesës; po godet të varfrit, por edhe të mesmit; Abuzimi me çmimet e lëndëve të para po godet prodhimin, investimet publike e private”, thotë Braçe.
Deputetit dhe ish-zv.Kryeministri socialist kërkon nga agjencitë dhe institucionet shtetërore që të ndërhyjnë duke bërë inventaret e çdo prodhuesi dhe tregtuesi.
“Përsëris thirrjen: bëni inventarët për çdo subjekt prodhues, tregtues, magazinat e tyre, çmimet! Shkoni në Elbasan sot e shihni se sa hekur ka stok një subjekt atje, tërhequr nga tregu. Do të fitojë para, dakord, por jo kështu, jo kaq shumë. Nuk ka moral! Është krim! Po vrisni ekonominë kombëtare dhe ekonominë familjare. Ndaj duhet të bëhemi bashkë kundër abuzimit me çmimet, ta dënojmë abuzimin”, thotë ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.