Ashtu siç kishte paralajmëruar, Lëvizja Vetëvendosje zhvilloi një tubim të premten në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Protesta filloi me himnin kombëtar, ndërsa fjalën fillimisht e mbajtën disa veprimtarë dhe deputetë të VV-së.
Siç raporton edhe Koha.net, në turmën e mbledhur, nuk munguan ovacionet “Duam zgjedhje”, apo “Me hajna, nuk ka shtet”.
Ish-kryeministri, Albin Kurti, ka shigjetuar disa herë gjatë fjalës së tij, presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
“Presidenti është hajn, por jo edhe jo shumë gjatë, edhe ndonjë muaj, ai do të shkojë dhe nuk do të mund të vjedhë më”.
Kurti tha se “nuk e kemi pranuar vendimin e Kushtetueses sepse ishte i padrejtë”.
“Më 6 tetor e 3 shkurt, ne e çliruam politikën, por e patë se si reaguan regjimi i vjetër dhe kapësit e shtetit. E patë se si presidenti i zgjedhur me vota të kontrabanduara në Kuvend u vërsul për të rrëzuar qeverinë. Në VV ai nuk ka bashkëpunëtorë, por gjeti në LDK, e cila braktisi qeverisjen e mirë dhe tash janë të gjithë së bashku në një qeveri koti dhe që për kumbarë e kanë presidentin. Dhe mirë që janë bashkë, pasi që 20 vjet janë bashkë në vjedhje e zhvatje”, vërejti ai.
Albin Kurti tha se 21 muaj të humbur janë shumë, porse 21 vjet janë të pafalshëm.
Në sheshin “Skënderbeu”, ai ka folur edhe për 15 vjetorin e themelimit të Vetëvendosjes.
Dhe jo pa shkak.
“Jo negociata, Vetëvendosje”, ishte parulla e kërkesës sonë të qartë politike për shtet të pavarur e sovran, që nuk negocion me Serbinë për çështjet e brendshme. Ishim gjithmonë për një shtet që vetëvendos për qytetarët e vet. Për 15 vjet kemi pasur shumë pengesa e sfida, kemi marshuar qindra herë për atë që besojmë se është e drejtë e dimë që është e vërtetë”.
Kurti premtoi se nuk do të kthehen kurrë para 6 tetorit, duke iu referuar kështu datës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të një viti më parë kur ajo doli e para duke lënë pas Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Partinë Demokratike.
“Duam shtet që punon për qytetarin. Më 6 tetor ka ndryshuar politika e qeveria. Nuk do të kthehemi kurrë para 6 tetorit, në politikën e vjetër të gënjeshtrave. Nuk kthehemi para 6 tetorit sepse kemi parë se qeverisja e mirë është e mundur, luftimi i korrupsionit është i mundur, bordet politike mund të jenë pa familjarë, kemi parë se Kosova mund të bëhet shtet normal e që punon për të gjithë, kemi parë që ndryshimi është i mundur”, tha Albin Kurti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.