Menaxhim

Jo më mjete të parkuara në rrugë, ish-Blloku kthehet në pedonale. Rrugët që preken nga projekti ‘Walk’

Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri Edi Rama prezantoi sot projektin “Tirana Walk 2021”, që synon të kthejë në një pedonale zonën e ish-Bllokut, duke çliruar rrugicat e zonës nga parkimi i mjeteve.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri tha se rikthimi i këtij projekti do të garantojë qetësi dhe pastërti për qytetarët, ndërsa do të stimulojë ecjet në këmbë dhe biçikleta.

Projekti do të prekë tre rrugët kryesore të bllokut, Rrugës “Ismail Qemali”, rrugës “Pjetër Bogdani” dhe rrugës “Brigada 8”. Ai gjithashtu është i aplikuar në kryqëzimet e këtyre rrugëve dhe rrugës “Sami Frashëri”, si dhe përfshin disa rifinitura të rrugës “Vaso Pasha”. Ndërsa Rruga “Ismail Qemali”, duke qenë një rrugë kryesore, do të ketë një korsi biçikletash dhe vetëm një rresht parkimi.

“Duhet t’i shmangemi idesë që për ulur trafikun duhet të zgjerojmë rrugët. Kjo nuk është e vërtetë, jo arteriet kryesore që lidhin qytetet me njëra tjetrën por kam parasysh rrugët e brendshme të qytetit. Ka shumë gjasa që fluksi i trafikut të rritet, e kundërta është e vërtetë. Dekurajimi i trafikut është përgjigja. Kjo zonë është qendrore dhe e aksesueshme lehtësisht, një zonë nga ku banorët, distancat nuk janë të gjata dhe është një zonë që duke stimuluar ecjen do të jetë shumë më efikase edhe për bizneset që janë në zonë të cilat janë ato që ankohen të parat për ndërprerjen e aksesit me makina deri të dera. Zgjerimi i trotuareve do të lehtësojë qarkullimin, do të përmirësojë aksesin për të gjithë dhe do të krijojë mundësi për më shumë hapësira publike”, tha kryeministri Rama.

Ai gjithashtu theksoi se zgjerimi i rrugëve nuk është gjithmonë zgjidhja për uljen e trafikut, duke e krahasuar me projektin e Lungomaren në Vlorë, ku një rrugë më e ngushtë ka pasur sukses në krijimin e një hapësire më të kënd.

“Do ju sjell rastin e Vlorës ku u bë një debat për Lungomaren ku projektuesit belgë sollën një rrugë të ngushtë dhe ata që e kundërshtonin donin një rrugë shumë më të gjerë. Faktikisht rruga në Lungomare funksionon më së miri. Fakti që shkohet më shumë në këmbë sesa makinë, fluksi i njerëzve është shumë më i madh dhe natyrisht ajo çka u tha këtu është qasja e duhur që duhet një kohë informimi dhe shkëmbimit të projektit dhe idesë. Duhet të mendojmë më shumë hapësira për parkimin nëntokësor. Hapi tjetër është goditja e parkimit të dyfishtë që është problemi kryesor”, u shpreh kryeministri Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë