Mendim

“Jeton Lami njeh policë, prokurorë e gjyqtarë që paguhen nga Ervis Martinaj. Ta mbrojmë si dëshmitar!”

Nga Anila Hoxha* - Jeton Lami, oficer policie prane FAST (njësia për të kapur të kërkuarit), është njeriu më i rrezikuar në Shqipëri e po ashtu është Kutia e Pandorës ku gjenden emrat e atyre shefave dhe policëve të korruptuar nga krimi i organizuar, që u shërbejnë dhe pastaj krekosen sikur po zbatojnë ligjin.

Jeton Lami i arrestuar për shpërdorim detyre pasi u zbulua që shoqëronte dhe transportonte shumë të kërkuarin Ervis Martinaj, i cili llogaritet që nga bota e errët vendosi një pasuri gati 600 milionë euroshe, aktualisht mbahet në Burgun e Shënkollit. Jeton Lami dyshohet se ditën që kaloi nga polic i thjeshtë në njësine operacionale, kaloi aty me një vend pune të porositur nga Martinaj. Pra, prej dy vitesh ai ka parë e dëgjuar dhe di aq shumë emra policësh e shefash sa nëse flet, do të na shpëtonte të gjithëve.

LEXO EDHE:
- Karriera e rrufeshme e policit që shoqëronte Martinajn – A ka dështuar FAST?!
- Ndihmoi Ervis Martinajn të arratisej, gjurmët që la pas agjenti i policisë
- Efektivi i policisë prenotoi dhomën e hotelit dhe bëri taksistin për Ervis Martinajn – Si u zbulua
- Dyshohet se ndihmoi Ervis Martinajn, ‘arrest në burg’ për agjentin e policisë
- “Familjen tënde ose Visin”… Si u nxor në pritë Ervis Martinaj. A është ekzekutuar edhe bashkëpunëtori që e tradhtoi?

Ai duhet shpëtuar e bashkë me të, ne të kuptojme të vërtetën, se cilët janë ata shefa, zv/shefa e policë të tjerë që janë rekrutuar nga i shumëkërkuari.

Cilët janë ata që vazhdojnë të jenë në polici dhe që realisht nuk janë më policë, por kriminelë që shesin kolegët dhe paguhen për informacione në disa raste për t’i thënë të shumekërkuarit “ik se erdhëm” e në shumë raste të tjera për ta vënë në dijeni se pala kundërshtare në krim po e kërkon.

Cilët janë këta ushtarë të krimit, këta të blerë nga krimi?
Jeton Lami është i rrezikuar nga kolegët e tij të rekrutuar që me siguri po u dridhen këmbët që ai di disa gjëra. Kështu që një prokuror, Zoti e di kush është ai, le ta bëjë atë rrugë Tiranë-Shënkoll, të qëndrojë aty e të flase e t’i japë besim një “ushtari të vogël”, sepse do të ketë dosjen më të madhe të krimit të organizuar në Shqipëri.

Jeton Lami, është pak po e sigurtë, që sa kohë ishte përkrah një të shumëkërkuari, nuk ishte vetëm dhe jo më i rëndësishmi ushtar i tij. Ai di emra zyrtarësh policie që janë paguar për të mbyllur një sy për lojërat e fatit që gëlonin të organizuara nga kryeqyteti e në çdo qytet për të informuar në kohë e për t’u bërë zbor policëve të thjeshtë, atyre të parekrutuarve. Dhe jo vetëm.

Se krimi i organizuar, ku palët luftojnë njëra-tjetrën, ka arritur në nivele të larta ku e bën luftën përmes policisë, atyre të BLERËVE.

Jeton Lami, njeh policë e prokurorë e gjyqtarë që paguheshin nga Ervis Martinaj. Emra të atyre që bënë sikur nuk panë gjë, pasi një oficer i RENEA-s kur kontrolloi biznesin e të shumëkërkuarit, pas një incidenti aty kur kishte qëlluar me shuplakë Martinajn, u dorëhoq nga detyra sepse dikush e tregoi emrin e tij.

Kështu që përpara se të jetë shumë vonë, të dalë dikush të ruajë një ish-polic, të cilin nëse ekziston pak drejtësi dhe dikush që e do këtë vend ku jetojmë, ta mbrojë atë dhe familjen e tij.
Derisa ai të thotë se kush janë ata të shitur, të korruptuar dhe që ne u kemi lënë drejtësinë në duar.

*Marrë nga profili i saj në Facebook (titulli i Redaksisë)


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë