Jete & Stil

Jetojmë në epokën e obezitetit, por jemi ende elegantë…

“Kur pashë fotografinë me zor e besova se ishte i njëjti vend”, shkruan kolumnisti i britanikes “The Guardian”, George Monbiot ndërsa i referohet një fotografie të shkrepur në plazhin e Brighton-it, në Angli në vitin 1976. “Dukej se tregonte një racë jashtëtokësorësh. Pothuajse të gjithë ishin të hollë.”

E njëjta habi na shkaktohet nëse kundrojmë ndonjë fotografi të pushuesve në bregdetin e  Durrësit a Vlorës, kur deri para viteve ’90 , zor se gjeje jo vetëm në ata që shullëheshin në diell, por edhe ata që ecnin në rrugë një njeri që ta kategorizoje qoftë edhe lehtësisht mbipeshë...Ishte koha e ushqimeve të racionuara, radhëve të gjata të bukës apo qumështit që nisnin me natë  apo e frutave që vileshin në fermat e shtetëzuara të sistemit komunist, ku më të mirat paketoheshin në arka për t’u eksportuar kushedi ku. Jo vetëm fotografitë, por edhe ato pamje filmike (përtej filmave që përhapnin propagandën komuniste) njerëzit shfaqen aq të dobët, në kufijtë e nënpeshës  dhe nga çehrja e portreteve duken shëndetligë.

Por duket se ato kohë u harruan shpejt dhe me të ndërruar sistemi ekonomik e politik, shqiptarët nisën të vinin pak mish në siluetat e tyre shpesh skeletike, deri në ditët e sotme ku sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, në vendin tonë përllogariten afro 350 mijë të rritur obezë, në popullsinë pak më pak se tre milionë banorë, që në shifra do të përkthehej me një ekuivalente të 17.6 përqind të popullsisë që ka probleme të obezitetit.

Fotoja në plazhin e Brighton-it, 1976

Duke u kthyer edhe njëherë të kolumnisti britanik, të cilin ajo fotografi e bëri t’i hyjë një hulumtimi të gjatë e të thellë, madje edhe të ngrejë debat në rrjetet sociale. “Përse jemi shëndoshur aq shpejt? , pyeste Monbiot, ku viti 1976 edhe sipas OBSh-së është vënë si pika e kthesës së një popullsie botërore nga elegante, ose brenda përmasave normale trupore drejt mbipeshës dhe obezitetit. Në katër dekada, popullsia e obezëve, në të gjithë botën është trefishuar. “Për habinë time, pothuajse çdo shpjegim  i propozuar doli i pavërtetë.” – shkruan Monbiot, duke iu referuar popullsisë virtuale dhe gjithfarëlloj teorive – herë shkencorë, gjysmë shkencore apo komplotiste –të propozuar prej atyre që duket se nuk bëjnë gjë tjetër veçse zgjasin jetesën sedentare  me sytë nga kompjuteri dhe trupin në rënie të lirë mbi karrige, kolltukë a kanape (ka edhe nga ata të rrallët që mund të jenë duke vrapuar në ndonjë park, ndërsa edhe shtypin tastat e telefonave të zgjuar, duke dhënë përgjigje po aq të zgjuara,  për tema që duket se e varin zgjidhjen prej mendimeve të tyre).

Nëse për shtete si Britania apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës të dhënat mbi obezitetin datojnë vonë, aq më vonë datojnë për vende në tranzicion si Shqipëria.

Shpjegimi më i dukshëm, thotë Monbiot, i njerëzve në mediet sociale ishte se po hamë më shumë. “Shumë e vunë gishtin, jo pa të drejtë, se ushqimi ishte kryesisht pashije në vitet ’70. Ishte edhe më i kushtueshëm. Kishte më pak ushqime të shpejta dhe dyqanet mbylleshin herët.”

Por ajo që ka zbuluar kolumnisti duke hulumtuar nga të dhënat e qeverisë, ishte se anglezët hanin më shumë në vitin 1976.  Nëse tani një anglez konsumon mesatarisht 2130 kilokalori në ditë, duke përfshië  ëmbëlsira dhe alkool, më 1976 –ën, konsumonin 2280 kilikalori, pa përfshirë alkoolin dhe ëmbëlsirat, ose 2590 kilokalori, me to të përfshira. Udhëtojnë sërish në juglindje të Europës e ndalemi në vendin tonë.  Megjithëse shifrat mungojnë nuk mund të themi të njëjtën, si në rastin e anglezëve, që shqiptarët hanin më shumë në vitet ’70, për shembull.

Me të ardhur në pushtet Partia e re komuniste, që do e udhëhiqte vendin për gati gjysmë shekulli nisi reformën agrare, që pasoi me kolektivizimin e bujqësisë, duke shpronësuar pronarët e mëdhenj e duke zhdukur pronën private. Në vitin 1960 kishte ndodhur kolektivizimi i plotë i zonës fushore.  Por në dhjetëvjeçarin e fundit të sundimit të tij, ekonomia shqiptare, krejt e shtetëzuar shfaqi krizën e plotë, e cila kulmoi me mungesën e thellë të mallrave të konsumit, që çoi edhe në shpikjen e sistemit të racionimit të ushqimit për popullsinë ( e kush nuk i mban mend tallonat  famëkeq?!), ndërsa varfëria në formën e saj më të keqe – urinë – kishte trokitur në vend, Në dyqane nuk kishte as produktet më bazike si miell, sheqer apo vaj, ndërsa mishi ishte një luks që as nuk duhej të çohej nëpër mend.

Në renditjen e përditësuar në korrik të 2017 –ës, të Indeksit Botëror të Obezitetit nga Organizatat Botërore e Shëndetit , Shqipëria renditet në vendin e 117 –të mes 192 vende, me 348 mijë e 416 të rritur obezë në një popullsi të rritur prej afro 3 milionë banorësh, përkthyer në 17.6% të popullsisë që vuajnë nga probleme të obezitetit.

Nga fundi i regjimit, në vitin 1989, Partia e Punës kishte përpiluar ushqimet që shqiptarët do të konsumonin gjatë natës së ndërrimit të viteve. Dy kilogramë gjuhëza, një shishe raki e dy shishe verë, dy kilogramë mollë e po aq portokaj  do të ishin të mjaftueshme që,   katër njerëz të ngopnin barkun duke pritur për një vit më të mirë... Një vit më vonë, në 1991-shin, Ylli Bufi kryeministri i asokohe, i qeverise së stabilitetit, shpalli se kishte bukë vetëm për gjashtë ditë, e ndërsa ditët kalonin rritej ankthi dhe radhët e gjata të njerëzve që shtypeshin përpara dyqaneve të bukës, ku më të zotët e të fortët arrinin të merrnin disa bukë gruri...

Pastaj nisën të vinin ndihmat ushqimore nga e gjithë bota për vendin skajshmërisht të varfër që ende nuk i kishte  shpëtuar kthetrave të komunizmit me eksperimentet e tij të kolektivizimit dhe izolimit. Ka nga ata që thonë se ushqimet që vinin e që shqiptarët e uritur, të dobët e të drobitur hanin për të shuar zhurmën e padurueshme të urisë, ishin jashtë standardeve. Ose trupi i atyre shqiptarëve që dolën nga diktatura nuk ishte mësuar me përqindjen e hormoneve, pesticideve, konservuesve në ushqimet që vinin nga jashtë e me të cilat popullsia shqiptare ( ekonomia e së cilës prodhon pak mallra të konsumit  në vend) ushqehet prej 28 vitesh tranzicion.

Organizata Botërore e Shëndetit thotë se obeziteti, i cili vjen kryesisht nga konsumi i ushqimeve të shpejta e të përpunuara me përmbajtje të lartë yndyrash, sheqeri e kripe, shkakton një sërë sëmundjes ku më të rrezikshmet renditen ato të zemrës, diabeti dhe disa lloje të kancerit. Fakt është se në  15 vitet e fundit përhapja e tumoreve përllogaritet me afro 70 përqind. Po ashtu Shqipëria ka shënuar rritje edhe në sëmundjet kardiovaskulare e po ashtu vitet e fundit është vënë re edhe rritje e numrit të vdekjeve nga diabeti, sipas të dhënave statistikore të Institutit të Shëndetit Publik. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë, bazuar edhe në të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë për sasinë dhe cilësinë e konsumit në familjet shqiptare, del se dieta e shqiptarëve ka sibazë drithërat, përfaqësuar nga buka dhe konsumi i kësaj të  fundit shënon normat më të larta, krahasuar me vendet europiane. Po kështu shqiptarët e sotëm hanë pak fruta e zarzavate.

Kolumnisti britanik vërente nga përgjigjet e komentuesve të rrjeteve sociale se shumë syresh ngulmonin se shkak i obezitetit mund të jetë edhe fakti se kanë rënë ndjeshëm punët e krahut. “Sërish kjo duket se ka kuptim, por të dhënat nuk e mbështesin. Një studim i vitin të kaluar në Revistën Ndërkombëtare të Kirurgjisë tregon se “të rriturit që punojnë në profesionet pazanat të krahut kanë katër herë më shumë gjasa të klasifikohen si obezë krahasuar me ata në punësim profesional”. Sipas të dhënave të viteve të fundit nga Instituti i Statistikave, shqiptarët janë të punësuar kryesisht në ekonominë e shërbimeve, si hotele e restorante, call-center, agjenci imobiliare, masoneri dhe lojëra fati, shumë prej të cilave, megjithëse punë krahu, nuk duket se kërkojnë aktivitet të madh fizik.

Po ushtrimet e vullnetshme? Komentuesit britanikë, sipas Monbiot-it, argumentojnë se në vend që të ecim apo të pedalojmë , ngasim vetura, kemi ngecur përpara ekraneve dhe porosisim atë çka na nevojitet online.  Ushtrohemi  shumë më pak se e kemi bërë më parë. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, një në katër të rritur në të gjithë botën, nuk është aktiv sa i nevojitet fizikut dhe më shumë se  80 përqind e adoleshentëve në botë (këtu padyshim përfshihet edhe Shqipëria) nuk janë fizikisht aktivë sa duhet.

“Duket se ka kuptim – por ja surpriza tjetër.”, befason kolumnisti nga Britania. Sipas një studimi afatgjatë nga Universiteti  i Plymouth-it, aktiviteti fizik i fëmijëve është i njëjti me atë të 50 viteve më parë.Një punim shkencor në Revistën Ndërkombëtare të Epidemologjisë zbulon se, korrektuar sipas masës trupore, nuk ka ndryshim mes sasisë së kalorive të djegura nga njerëzit e vendeve të pasura me ato të vendeve të varfra, kur agrikultura e jetesës mbetet në normë.  Ky studim propozon se nuk ka lidhje mes aktivitetit fizik dhe shtimit në peshë. Shumë studime të tjera sugjerojnë se ushtrimet, ndërsa janë thelbësore për aspekte të tjera të shëndetit të mirë, nuk janë aq të rëndësishme saç është dieta në rregullimin e peshës sonë.Disa sugjerojnë se nuk luan rol aspak pasi sa më shumë ushtrohemi, aq më shumë kemi uri.

Të tjerë tregonin faktorë edhe më të errët:  infeksioni me adenovirusin 36, përdorimi i antibiotikëve në fëmijëri dhe kimikatet që shkatërrojnë gjëndrat endokrine. Ndërsa ka fakte që sugjerojnë se mund të luajnë rol, dhe ndërsa mund të shpejtojnë disa nga ndryshimet në peshën e fituar nga njerëz të ndryshëm në dieta të ngjashme, askush nuk është mjaft i fuqishëm për të shpjeguar tendencën e përgjithshme.

ta punësojnë një ushtri shkencëtarësh të ushqimit edhe psikologë për të na futur në kurthin e të ngrënit më shumë sesa kemi nevojë, ndërsa reklamuesit përdorin gjetjet e fundit në shkencën neurologjike për të kapërcyer rezistencën tonë.

“Pra, çfarë ka ndodhur? Drita nis të bjerë kur shohim shifrat e ushqyerjes me detaje. Hanim më shumë në 1976 –ën, por ndryshe. Sot, blejmë gjysmën e sasisë së qumështit të freskët për njeri, por pesë herë më shumë kos, tri herë më shumë akullore dhe  - prisni pak – 39 herë më shumë ëmbëlsira me bulmet. Blejmë gjysmën e sasisë së vezëve që blinim  më 1976 –ën, por një të tretën më shumë drithëra mëngjesi dhe dyfishin e vakteve të vogla me drithëra; gjysmën e sasisë së patateve, por tri herë më shumë patatina.”, vëren Monbiot nga të dhënat e mbledhura për vendin e tij.

Megjithëse shqiptarët hanin pak përpara viteve ’90, pothuaj bien të gjithë dakord njëzëri kur thonë se ushqimet atëherë kishin më shumë shije. Se qumështi ishte njëmendi prej lopës – megjithë ajkën që proceset e pasterizimit e heqin nga qumështi që shitet i kontrolluar dhe që cilësohet si i pashëndetshëm për organizmin, se frutat dhe zarzavatet kishin tjetër aromë, mishi nuk qe ky i dhjamosuri me konservues që importohet shpesh nga kontenierët që vijnë nga Brazili, shpesh i skaduar prej disa  vitesh dhe, madje edhe buka të ngopte më shumë.

Me gjithë tendencat e ushqyerjes së shëndetshme, konsumit të frutave dhe zarzavateve, kanë bërë që të ulet ndjeshëm blerja direkte e sheqerit, sheqeri që konsumojmë në pije dhe ëmbëlsira është ngjitur shumë. Në fjalë të tjera mundësitë për të mbushur ushqimin tonë me sheqer është rritur. Siç kanë propozuar prej kohësh disa ekspertë, ky duket se është problemi.

“Ndryshimi nuk ka ndodhur aksidentalisht.”, shpjegon Monbiot. Ashtu si  Jacques Peretti argumenton në filmin e tij “Njerëzit që na bënë të shëndoshë”, kompanitë ushqimore kanë investuar shumë në krijimin e produkteve që përdorin sheqer për të anashkaluar mekanizmat tanë natyrorë të kontrollit të oreksit dhe në paketimin dhe promovimin e atyre produkteve për të rrëzuar atë çka mbetet nga mekanizmat tanë mbrojtës, përfshirë edhe përdorimin e aromave të nënvetëdijes. Ata punësojnë një ushtri shkencëtarësh të ushqimit edhe psikologë për të na futur në kurthin e të ngrënit më shumë sesa  kemi nevojë, ndërsa reklamuesit përdorin gjetjet e fundit në shkencën neurologjike për të kapërcyer rezistencën tonë.“Ata punësojnë shkencëtarë dhe think-tank për të na hutuar rreth shkaqeve të obezitetit. Mbi të gjitha, ashtu si edhe kompanitë e duhanit bënë me duhanpirjen, ata promovojnë idenë se pesha është çështje e “përgjegjësisë personale”.  Pasi kanë shpenzuar miliarda në rrëmbimin nga duart të vullneteve tona, ata na fajësojnë se kemi dështuar në ushtrimin e tij.”

Dhe nisur nga debatet mbi një fotografi, ideja e gjigantëve të industrisë ushqimore funksionon; ne kënaqemi me fajësimin e viktimave, ndërsa themi: “ Nuk ka shfajësime. Merrni përgjegjësinë për jetët tuaj, njerëz! Askush nuk ju ushqen me forcë ushqim  të keq, është zgjedhje vetjake. Nuk jemi kavie.” Më alarmante, sipas një punimi shkencor në Lancet, më shumë se 90 përqind e politikëbërësve besojnë se “motivimi vetjak” është  “ndikim i fortë ose shumë i fortë në rritjen e obezitetit”.

Obezofobia është shpesh  një formë e maskuar e snobizmit. Në pjesën më të madhe të vendeve të pasur, normat e obezitetit janë shumë më të larta në fund të shkallës socio-ekonomike. Ata lidhen fort me pabarazinë, që ndihmon për të shpjeguar se pse incidenca e Britanisë është më e madhe sesa në shumë vende europiane. Literatura shkencore tregon sesi fuqia e  shpenzuar pak, stresi, ankthi dhe depresioni të lidhura me  statusin e ulët social i bën njerëzit më të brishtë ndaj dietave të këqija.

Në renditjen e përditësuar në korrik të 2017 –ës, të  Indeksit Botëror të Obezitetit nga Organizatat Botërore e Shëndetit , Shqipëria renditet në vendin e 117 –të mes 192 vende, me 348 mijë e 416  të rritur obezë në një popullsi të rritur prej afro 3 milionë banorësh,  përkthyer në  17.6% të popullsisë që vuajnë nga probleme të obezitetit. Situata në vendin tonë karakterizohet nga kombinimi i ushqyerjes së pakët, e  theksuar mes grupeve të brishta si femrat shtatzëna, foshnjat dhe fëmijët e vegjël në zonat e largëta, ku sigurimi i ushqimit është i kufizuar dhe mundësitë për të siguruar jetesën janë të pakta, dhe nivelet në rritje të ushqyerjes së tepërt, sidomos mes grupeve urbane tek të cilat konsumi i ushqimeve të përpunuara po rritet, ndërkohë që aktiviteti fizik vjen në ulje. Mes vendeve të rajonit, si Mali i Zi, Serbia, Greqia, Bosnjë dhe Hercegovina, Kroacia, Bullgaria e Turqia, vendi ynë shënon normën më të ulët të obezitetit, duke na bërë të cilësohemi ende si elegantë, në këtë epokë të obezitetit.

Në botë, shtetet me obezitet më të lartë janë Kuvajti, ShBA, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, që e kanë indeksin e obezitetit 35-40%.“Ashtu si njerëzit e papunë fajësohen për papunësinë strukturore dhe njerëzit në borxhe fajësohen për kostot e pamundura të strehimit, të shëndoshët fajësohen për problemet shoqërore.”- përfundon shkrimin e tij kolumnisti britanik. Duhet ushtruar vullnet, vijon ai, por nga qeveritë. Po ashtu edhe përgjegjësia  vetjake, por nga ana e politikëbërësve. Duhet ushtruar edhe  kontroll, por mbi ata që kanë zbuluar dobësinë tonë dhe pamëshirshëm e shfrytëzojnë.

Rritja e obezitetit në botë  

Sipas OBSh-së, sot, asnjë vend nuk është imun ndaj obezitetit. Në 30 vitet e shkuar, obeziteti është rritur me shifra marramendëse në vendet perëndimore dhe vendet e vegjël. Rajonet më  të prekura nga obeziteti, sipas OBSh-së janë  Ishujt e Oqeanisë si në ishujt Kuk, Samoa, Tonga,  Nauru, Palau, Niue dhe Ishujt Marshall. Por, edhe pse me normat më të larta të obezitit këta vende kanë shumë më pak popullsi. Rajoni i dytë më i prekur është Lindja e Mesme, me afro 75 përqind të popullsisë obezë, ose mbipeshë. Vende si Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Libia, Omani, Jordania, Egjipti dhe Kuvajti. Vendin e tretë për këtë problem e zë kontinenti i Amerikës  së  Jugut , që është shtëpi e vendeve më obezë në terma të shifrave absolutë, përfshi Brazilin, Meksikën, Argjentinën, Perunë dhe Kilin.Studime nga Organizata Botërore e Shëndetit sugjerojnë se janë edhe 124 milionë fëmijë dhe adoleshentë  në të gjithë botën,  që vuajnë obezitetin dhe mbipeshën. Ndërsa më pak se 1 përqind e fëmijëve dhe adoleshentëve  të moshës 5-19 vjeç ishin obezë  më 1975 –ën, më shumë se 124 milionë fëmijë dhe adoleshentë ( 6 përqind vajza dhe 8 përqind djem) ishin obezë më 2016 –ën.

10 vendeve më obezë në shifra absolutë,
sipas OBSh-së

Cilët janë shtetet më të shëndoshë në botë?

Obeziteti ka qenë vazhdimisht në rritje në të gjithë planetin vitet e fundit. Në fakt, studimet kanë treguar se një numër obezësh në të gjithë globin është dyfishuar në dy dekadat e fundit. Për këtë mund të fajësohet lehtë edhe ushqimi i keq dhe stili i jetesës sedentare. Ndërsa s’ka asgjë të keqe të kesh forma të kolme apo të kënaqesh me ijët e mbushura të partnerit, kur pesha e një njeriu del nga kontrolli, sjell me vete probleme të rënda të shëndeti si diabet dhe probleme të zemrës dhe në ekstremet e tij, mund të shkaktojë edhe vdekjen. A e dinit se obeziteti merr mbi 3. 4 milionë jetë  çdo vit? Është interesant fakti se ka disa shtete që ka shtete me  norma më të larta të obezëve  sesa mesatarja dhe nëse vëreni do të habiteni ku të zbuloni se cilët  shtet peshojnë më shumë në peshore.

Nuk është habi për askënd që ShBA është në listën e vendeve më obeze, pas 31.8 përqind e popullsisë së saj është e klasifikuar si obeze, i njohur si vendlindja e McDonald's, Coca-Cola dhe petullave të ëmbla Dunkin, ShBA-ja është e njohur për dietat e pashëndetshme dhe banorët e saj me përmasa tejet  të mëdha.

Por nuk duhet të udhëtosh aq larg për të gjetur një tjetër vend që po lufton me problemet e obezitetit.  Kërkimet shkencore tregojnë se së fundi Meksika e prezantuar me ushqimet e përpunuara dhe me ëmbëltues dhe kjo risi është shkaktarja e rritjes së madhe  në normat e obezitetit  në vitet e fundit. Ngjashëm me fqinjët,  32.8 përqind e meksikanëve klasifikohet si mbipeshë.

Katari mund të krenohet si vendi më i pasur në botë, por efektet e zakoneve të këqija të të ngrënit i kanë çuar në obezitet. Me rritjen e shpejtë në pasuri,  falë burimeve natyrore, vendi ka adoptuar stilin perëndimor të të ushqyerit dhe dietës dhe bashkë me jetën sedentare të vendasve bëhen shkaktarë të obeziteti në  33.1 përqind të popullsisë.

Kërkimet shpjegojnë se shkaktarët  pas shifrës 33.7 përqind të  popullsisë obeze në Emiratet e Bashkuara Arabe është rritja e shpejtë e vendit në pasuri nga industria e naftës.  Me pasurimin e menjëhershëm ky vend  adaptoi zinxhirët perëndimorë të ushqimeve të shpejtë, duke çuar në dyfishim të normës së obezititet dhe 19 përqind e popullsisë vuajnë nga diabeti. Ekspertët tregojnë se diabeti nuk ekzistonte  në Emirate, dekada më parë, por ka ardhur si pasojë e ndryshimit të madh në dietën ushqimore.

Një tjetër  vend afrikan, i papritur  në listë,  për shkak  të rritjes së shpejtë në ekonomi dhe industrializim është Egjipti me   34.6 përqind të  popullsisë që  vuajnë nga obeziteti. Kërkimet tregojnë se ka  pak lidhje mes obezitetit dhe klasës sociale, që prek të gjithë vendin pa diskriminim klasor. Kjo sepse edhe familjet me të ardhura të larta dhe ato me të ardhura  të ulëta hanë rregullisht ushqime të shpejta.

Vendi më i madh i gadishullit arabik, Arabia Saudite ka një popullsi prej  34  përqind që vuan obezitetin. Ndryshe nga shumë vende në këtë listë, në Arabi problemet me obezitetin nuk mbulohen nga skema e sigurimeve, duke bërë që qindra mijëra dollarë të shpenzohen çdo vit me problemet  e peshës, Një nga sëmundjet e zakonshme është diabeti, i rritur me 30 përqind në popullsi në vetëm 10 vjet.

Vitet e fundit,  Kuvajti  është një nga vendet më obezë në botë, me  një normë prej 42. 8 përqind. Tregon se dëshira e pangopur për ushqimet e shpejta, kanë rritur edhe numrin e ndërhyrjeve kirurgjikale në stomak, që bëhen në vend.

Ndërsa disa  pretendojnë se norma prej 45.6 përqind e obezitetit në  ishullin  Paqësorit të Jugut, Nauru,  vjen nga fakti se ishullorët janë gjenetikisht të prirur të fitojnë peshë shpejt, studimet tregojnë se ky arsyetim nuk qëndron.  Për  iktë duhet të fajësohen perëndimorët  dhe ishujt fqinj. Arsyeja? Kolonizatorët arritën në këto parajsa tropikale dhe sollën me vete mënyrat e tyre të të gatuarit, duke u mësuar vendasve të skuqnin peshkun e freskët dhe perimet në vend që t’i hanin të gjalla dhe  kjo i ka bërë më ë shëndoshë.

Fakte të rëndësishme

  • Obeziteti në të gjithë botën është trefishuar prej vitit 1975.
  • Në 2016 –ën, më shumë se 1.9 miliardë të rritur ishin mbi peshë. Nga këta mbi 650 milionë ishin obezë.
  • 39%  e të rriturve në moshën 18 vjeçare e sipër ishin mbipeshë më 2016 –ën, 13 përqind prej tyre ishin obezë.
  • Shumë nga popullsia e botës jetojnë në vende,  ku mbipesha dhe obeziteti vret më shumë njerëz sesa nënpesha.
  • 41 milionë  fëmijë nën moshën 5 -vjeçare ishin mbipeshë dhe obezë,  në vitin 2016.
  • Mbi 340 milionë fëmijë dhe adoleshentë nga mosha 5- 19 vjeç ishin mbipeshë apo obezë në vitin 2016.
  • Globalisht ka më shumë njerëz obezë sesa nënpeshë – kjo ndodh në çdo rajon, përveç pjesëve të Afrikës subsahariane dhe Azisë.

Çfarë është mbipesha dhe obezitetit?

Mbipesha dhe obeziteti përkufizohen si  grumbullim anormal dhe i tepërt i masës dhjamore, që mund të sjellë probleme në shëndet. Indeksi i Masës trupore është një indeks i thjesht i masës për gjatësinë  i përdorur zakonisht për të klasifikuar mbipeshën dhe obezitetin tek të rriturit. Llogaritet ndërsa pesha e individit në kilogramë ndahet në katrorin e gjatësisë së tij në metra.

Shkaku thelbësor i obezitetit dhe mbipeshës është prishja e balancës së energjisë mes kalorive të konsumuara dhe kalorive të shpenzuara. Globalisht ka pasur një konsumim të ushqimeve energjike të pasura me undyrna dhe rritje të inaktivitetit fizik për shkak të natyrës sedentare të shumë formave të punës, ndryshimi i mjeteve të transportit dhe urbanizimi i rritur. Ndryshime në modeleve dietike  apo të aktivitetit fizik janë shpesh rezultat i ndryshimeve mjedisore dhe shoqërore, lidhur me zhvillimin dhe mungesën e politikave mbështetëse në sekrë si shëndeti, agrikultura, planifikimi urban, mjedisi, përpunimi i ushqimit, shpërndarja, marketingu dhe edukimi.

Sëmundjet që shkakton obeziteti

Sëmundje kardiovaskulare,  tromboza dhe sëmundje të zemrës që çojnë në vdekjes, diabet, çrregullime muskulore-skeletike, si osteo-artiti, disa lloje të kancerit, si ai i endometrit, i gjoksit, vezoreve, prostatës, mëlçisë, shpretkës, veshkave dhe zorrës së trashë.

Sipas OBSh obezitet dhe mbipesha  parandalohen lehtë suke kufizuar marrjen e yndyrnave dhe sheqernave , rritja e konsumit të frutave dhe perimeve, legumeve, drithërave dhe frutave të thata dhe angazhim në aktivitet  të rregullt fizik  ( 60 minuta në ditë për fëmijët apo 150 minuta në javë për të rriturit ).  Sipas OBSh-së, edhe industria e ushqimit mund të luajë rol thelbësor në promovimin e dietave të shëndetshme, duke reduktuar yndyrën, sheqerin dhe përmbajtjen e kripës në ushqimet e përpunuara, të sigurojë që zgjedhjet  e shëndetshme dhe ushqyese të jenë të disponueshme dhe të përballueshme për të gjithë konsumatorët, kufizimi i marketingut për ushqime me përmbajtje të larta sheqeri, kripe dhe yndyre, sidomos ata që synojnë fëmijët dhe adoleshentet, të sigurojnë disponueshmërinë e zgjedhjeve të ushqimit  të shëndetshëm dhe të mbështesin praktika të rregullta të aktivitetit  fizik në vendin e punës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë