Njerez

Jetime, pa shkollë, me 1000 halle në periferi të Tiranës… Të rritesh me Sindromën Down si Renata

Renata, vetëm 11 vjeçe është një fëmijë që ka shumë dashuri për të dhënë por sa pak ka marrë...

Renata është një fëmijë me Sindromën Down. Por përveç një kromozomi tepër, jeta i dha edhe probleme tepër: Ajo mbeti jetime që në moshën 2-vjeçare. Mungesa e prindërve e ka ndjekur kudo në jetë, më shumë sesa vëllezërit e saj që në një farë mënyre, i kanë mbushur disa boshllëqe. E rritur nga gjyshja dhe gjyshi, Renata ka qenë larg nga shkolla, loja, shoqet e lagjes dhe çdo argëtim tjetër që nuk përfshin katër muret e shtëpisë dhe telefonin, të vetmen lojë që ka.

Gjyshja e saj tregon për Gazetasi.al se deri në moshën 7-vjeçare, në familjen e saj kishte shumë momente ankthi, acarimi, të bërtiturash dhe “dëshirë për të thyer dhe shkatërruar çdo gjë për një tekë të vogël”.

Sot, falë terapisë që ka ndjekur disa vite më parë, ajo mërzitet vetëm në një moment: kur fëmijët kthehen nga shkolla dhe kalojnë nga shtëpia e saj.

“Më duket sikur e di dhe orarin kur kthehen fëmijët nga shkolla dhe është gjithmonë tek porta duke i pritur. Ju thërret, tenton tu flasë, do të hapë portën për të dalë dhe kur shikon që kalojnë, nervozohet”, tregon gjyshja e Renatës e cila shton se në shumë raste është detyruar të mbyllë shtëpinë me çelës që të shmangë pikërisht atë që ndodh pasi kalojnë fëmijët por Renata ka gjetur mënyrën për të dalë duke prishur dritaren.

Ajo shkon 2 ditë në shkollë por siç tregon gjyshja e saj, askush nuk e afron e madje shumë e kanë frikë kur vajza tenton ti përqafojë. Kjo ndoshta vjen edhe për shkak të mungesës së informacionit që kanë fëmijët të cilët i referohen Renatës thjesht si një fëmijë “i sëmurë”.

“Në fillim, kur e dërgova vajzën në shkollë para dy vitesh, më vinin në shtëpi prindër që më kërkonin që të mundohesha ti shpjegoja vajzës që mos të përqafonte fëmijët e tyre sepse kanë frikë dhe nuk dinë si të sillen, por si mund ti shpjegosh një fëmije me Sindromën Down që mos tu afrohet fëmijëve të tjerë?”, thotë gjyshja e Renatës.

Ajo tregon se mungesa e zhvillimit të vajzës dhe kjo sjellje ndaj saj kanë një shkak, të jetuarit në periferi të Tiranës, ku jeta nuk ecën me të njëjtin hap si në qytet.

Famija nuk ka pasur mundësi të ndjekë vazhdimisht terapitë dhe në shkollë ka hasur mjaft probleme me nxënësit dhe prindërit e tyre e, shumë herë janë detyruar ta mbajnë në shtëpi duke e lënë të merret me të vetmen gjë që i pëlqen, të dëgjojë muzikë në telefon.

Ajo kurrë nuk ka pasur një shoqe, kurrë nuk ka luajtur me fëmijë të tjerë, e kurrë nuk ka marrë një përqafim nga një bashkëmoshatar.

Për këtë, gjyshja e Renatës fajëson veten pse nuk ka mundur ti japë një jetë më të mirë, fajëson gjithë bashkëfshatarët pse nuk e pranojnë dashurinë e pafajshme të Renatës dhe fajëson atë kromozom tepër që po e mban çdo ditë me brengën se çfarë do të ndodhë me Renatën pasi gjyshja 61-vjecare mos të jetë më.

Renata thotë vetëm një fjalë: “Mami” sepse kështu ka dëgjuar dajat dhe tezet e saj të thërrasin gjyshen që e ka rritur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë