Libra

Jeta e trazuar dhe dorëshkrimet e humbura të  Zef Serembes

Nga Gazeta “SI”– Zef Serembe  do të lindtte si sot 182 vjet më parë me 6 Mars 1844 në Kozenca të Kalabrisë. Ndoqi studimet në kolegjin e Shën Adrianit, ku pati për mësues poetin tjetër të madh arbëresh , Jeronim de Radën, me të cilin më vonë u bënë dhe miq.

Jeta e trazuar dhe malli për Arbërinë ishin subjektet kryesore të poezive të tij. Pak prej poezive të tij lirike atdhetare dhe lirike filozofike kanë mbetur në trashëgiminë letrare të Serembes. Shumë dorëshkrime të poezive por dhe dramave qw ai shkroi humbën përgjatë zhvendosjeve të shumta në jetën e tij.

Disa nga titujt e veprave të tij: “Poesie italiane e canti originali tradotti dall’albanese”, Kozencë 1883,  “Sonetti vari”, Napoli, 1890; “Il reduce soldato”, New York, 1895; “Vjersha – 1926”, u botuan  më vonë në Milano nga nipi i tij Cosmo Serembe.

Por falë kërkimeve për tekstet e humbura të poezive të Zef Serembes, vitet e fundit janë bërë disa botime të veprës së tij që plotësojnë njohjen për krijimtarinë e poetit: “Omaggio a Giuseppe Serembe”, Kozencë, 1988; “Alla ricerca del Serembe autentico”, Kozencë, 1991.

Poezia e tij emblematike “ Vrull” është një nga poezitë e cila shpreh më së shumti mallin për tokën e të parëve dhe dëshirën për rikthim.

“Arbria matanë detit, na kujton

Se ne të huaj jemi te ky dhe!

Sa vjet shkuan! E zëmra nuk harron

Që ne turku na la pa Mëmëdhe…

Hakmarrja na jep shpresë e na ndriçon,

Por fryn era dhe akulli me zë,

Se ç’ka qenë Arbëreshi po harron:

Dhe s’i vjen turp aspak, po rri e fle”

Dashuria e humbur e Serembes

Në moshë të re Zef Serembe u dashurua  me një vajzë nga fshati i lindjes, e cila më vonë emigroi në Brazil me valën e madhe të emigrimeve masive drejt Amerikës Latine dhe vdiq atje.

Humbja e saj nuk iu shqit nga mendja dhe, me shpresë se mos të paktën ia gjente varrin, Serembe u nis për në Brazil në vitin 1874.

Me një letër rekomandimi në dorë nga Dora d’Istria (1828-1888), ai u prit në oborrin e perandorit Dom Pedro II. Pas një historie të shkurtër dashurie atje, u kthye në Evropë, i mërzitur e i brengosur. Kudo që shkonte e kapte dëshpërimi, pa dyshim nga ndonjë depresion kronik apo ndonjë formë tjetër çrregullimi psikik, dhe ndihej i vetmuar e i pasigurt. Në vitin 1897 Serembe emigroi për së dyti në Sao Paolo , Brazil ku dhe vdiq katër vite më vonë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë