Lehtësimi i masave hap pas hapi dhe rikthimi në shkolla dhe auditore po stimulon idenë e një jetese në normalitet pas një viti të vështirë pandemik. Çfarë ka mbetur pezull, ose të paktën publikisht dhe ligjërisht është jeta e natës. Masat për ndalimin e aktiviteteve argëtuese pas orës 22:00, kufizimi i lëvizjes apo edhe ndalimi i muzikës pas orës 20:00, nuk janë më të zbatueshme, ndonëse akoma në fuqi.
Në kryeqytet, ora 22:00 dërgon në shtëpi masën e qytetarëve, mbyll e bizneset e ndalon konsumin, por diku në të dalë të Tiranës kjo nuk ndodh, madje në orën 22:00 nis çdo gjë.
Në një monitorim të Gazetës “Si” nëpër bare, lounge dhe restorante të ndryshme në Tiranë, të përqëndruara kryesisht në zona periferike, duket se jeta e natës është e gjallë dhe nuk njeh masa apo pandemi. Grupe të rinjsh dhe jo vetëm, ulen të pinë e të hanë në një hapësirë me distancë më pak se 50cm. Muzika është në volumin maksimal dhe asgjë nuk shihet më larg se tavolina ku mund të jesh ulur vetë, nga mjegulla e krijuar nga shishat dhe cigaret që konsumohen aty. Në biseda tavoline dëgjon se si njerëzit “ja arritën kësaj ditë”, të festojnë përsëri pas një pandemie vdekjeprurëse, ndonëse ilegalisht. “Mezi presim të hapet tamam vendi që të lëvizim dhe në vende të tjera, jo vetëm këtu”,-tha njëra nga vajzat që kishte disa javë që shkonte rregullisht aty.
Njerëz që qëndronin në këmbë për 20 a më shumë minuta për tu ulur, në rast se nuk lirohej ndonjë vend, krijohej një i ri, por klientët nuk ktheheshin mbrapsht.
Në një tjetër vizitë të Gazetës “Si” në një restorant të njohur në dalje të Tiranës, që ka bërë zë me thyerjen e këtij orari, çdo gjë dukej normale. Në këtë restorant klientët thonë se nuk është mbyllur ndonjëherë nga masat e vendosura nga qeveria.
Një ambjent normal me drita të ulura e njerëz që darkonin si të ishte një darkë e një nate të zakonshme pa kufizime. Gjithçka shkoi mirë, asnjë patrullë policie nuk u shfaq. Restoranti qëndronte 7 ditë të javës hapur deri rreth orës 01:30-02:00 pas mesnate. Klientët thonë se pothuajse të gjithë e dinë që ky restorant qëndron hapur, nuk është sekret.
Burime për Gazetën “Si” tregojnë se ka ambjente të tjera në mes të Tiranës që operojnë, por janë pak më të kujdesshëm me zhurmat apo hyrje-daljet.
Paralelisht, në qytetet bregdetare në jug të vendit apo të tjera në veri, askush nuk bën kujdes dhe haptazi dihet që ambjente të ndryshme qëndrojnë hapur pas orës 22:00. Aty nuk ka vetëm pije dhe shisha, aty bëhet dasmë. Këngëtarë të famshëm janë bërë pjesë e shkeljes dhe euforisë njëkohësisht duke bërë të harrojmë që virusi është akoma vërdallë.
“Po kush e ndalon “atë”?”,-thotë një djalë ri duke pirë cigare në bar, duke iu referuar të zotit të barit dhe se masat nuk janë funksionale për të. Sepse detaji me rëndësi është, që baret, restorantet dhe lounget që nuk ndalojnë aktivitetin pas orës 22 janë në posedim të personave “me peshë”, emra të njohur më shumë se në publik, janë të njohur në para.
Shumë pak nga të pranishmit mund të jenë qytetarë të thjeshtë që po dalin për qef, aty janë grupe shoqërore ndoshta stereotipike.
Përveç vendeve që në mospërputhje me aktin normativ, rrinë hapur plot me njerëz pas orës 22, vendet “legjitime” janë të mbipopulluar. Vendet më të famshme në ish-Bllok me muzikë live apo DJ, operojnë 5 ditë në javë me të rinj që nuk lënë asnjë minutë tu shkojë dëm.
Në vende të tilla, muzika nis përgjithësisht në orën 6 pasdite kur ambjenti është ende me dyer të hapura. Tek grumbullohen njerëzit, mbyllen dyert, fiken dritat dhe volumi i muzikës vjen e bëhet akoma më i lartë.
Nëse nuk rezervon një ditë më parë është e pamundur të gjesh një tavolinë të nesërmen, jo vetëm në anën qendrore ku këndon këngëtari, por edhe në tavolinat rreth ambjentit.
“Më kishte munguar aq shumë sa nuk di ta shpjegoj! Kishte më shumë se një vit që nuk vija këtu për shkak të pandemisë dhe këtë të shtunë që u riktheva e kuptova sa më kishte marrë malli”, thotë Gerta për gazetën “SI”,.
“E kam kaluar Covidin muaj më parë por edhe nëse ekziston rreziku i riinfektimit, tanimë nuk më intereson më. Dua vetëm t’i rikthehem fundjavave në festa dhe euforisë që nxit ky vend”,- shtoi ajo.
Vihet re që turmës “së qefit” apo turmës “që thyejnë ligje” i janë bashkuar dhe personalitete të ndryshme të televizionit, biznesit apo edhe vetë politikës. Njerëz të cilëve u ka munguar argëtimi përgjatë një viti, ose ndoshta jo, ndoshta nuk janë shkëputur kurrë nga jeta e natës. Njerëz që lidhjet shoqërore, njohjet dhe arsye të tjera i kanë mundësuar daljet dhe argëtimet në mes të një pandemie kur masa e njerëzve ndodhen në shtëpi.
Një tjetër element i përfshirë jo drejtëpërdrejtë me festat pas orës policore janë shërbimet e taksive. Taksitë në kryeqytet janë të disponueshme 24 orë për këdo dhe për kudo. Askush nuk i ndalon. Kështu, një qytetar që nuk merr dot leje qefi nga e-albania do të marrë taksinë për të dalë nga shtëpia në orën 10 të darkës dhe për tu kthyer në orën 3 të mëngjesit.
Instat në fillim të kësaj jave publikoi raportin e Çmimeve të Konsumit ku vihej re se grupi i argëtimit kishte pësuar rritje të ndjeshme të çmimeve dhe kontribuoi në rritjen e inflacionit me 1.3% gjatë muajit prill, krahasuar me muajin mars, pas një viti që rezultonte vetëm me rënie. Gjithashtu, grupi i hotelerisë, bareve dhe restoranteve u rrit me 1% ndikuar nga temperaturat e larta, nxitja e njerëzve të argëtohen apo të shpenzojnë fundjavën diku jashtë qytetit të tyre.
Tirana nuk fle pas orës 22, ndoshta kurrë nuk ka fjetur, sepse pak metra larg qendrës së saj bëhen party me 200-300 të pranishëm. Ata që flenë janë ata që të nesërmen do të shkojnë në punë me shpresën se pak nga pak masat do të hiqen dhe mund të rikthehen në normalitet. Flenë ata që e dinë se të lëvizësh pas orës 22 është shkelje ligji dhe me të përballet. Flenë ata që përdorin taksitë për raste emergjente duke ditur që diku në qytetin e tyre ka të përzgjedhur “të mbrojtur” nga masat dhe hipotetikisht nga virusi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.