Arsim

Jep dorëheqjen rektori i Korçës, Dhimitër Bello. Shkrirja me Universitetin e Tiranës anulohet

Nga Gazeta Si – Rektori i universitetit të Korçës “Fan.S.Noli” Dhimitër Bello ka dhënë dorëheqjen, ndërkohë që senati ka kthyer vendimin për shkrirjen me Universitetin e Tiranës.

Një gjë e tillë është bërë me dije nga pedagogë të fakultetet ekonomik pas një takimi që kanë pasur me Bellon.

Zyrtarisht deri tani rektori Bello nuk ka dhënë deklaratë për dorëheqjen ndërkohë që dekani i fakultetit të bujqësisë Gjergj Mero thotë se dorëheqja e rektorit është vetëm emocionale dhe jo zyrtare.

Ditën e sotme senati sipas Meros ka pasur një takim me përfaqësues të këtij universiteti për të diskutuar propozimin e pak ditëve më parë nga ana e senatit për shkrirjen e universitetit të Korcës me universitetin e Tiranës.

Në një moment tensioni, rektori Bello është larguar duke bërë me dije dorëheqjen e tij, e cila është vetëm emocionale dhe jo zyrtare, sipas Meros.

Mero duke komentuar propozimin e senatit, tha se ai ka qenë vetëm një propozim dhe është kundër mbylljes së universitetit.

Dorëheqja e Bellos ka ardhur pas deklaratës së djeshme ku tha se universiteti i Korcës do të bashkohet me atë të Tiranës.

Një ditë më parë Bello deklaroi se universiteti i Korçës vitet e fundit po përballet me rënie të numrit të studentëve duke sjellë kështu edhe mbyllje të degëve. Sipas Bellos nga bashkimi nuk do të rrezikohej personeli apo mbyllja e programeve të studimit.

Pas lajmit për dorëheqjen e rektorit Bello, rektorati i Universitetit ka dalë me një deklaratë, duke thënë se senati Akademik i universitetin ndërmori një nismë për hartuar një strategji për kapërcimin e sfidave që e presin, nëpërmjet fillimit të procedurave dhe koordinimin e kritereve të bashkimit me Universitetin e Tiranës.

“Pas një diskutimi më të gjerë në nivel njësie qëndrore dhe njësie baze, kjo nismë do të rishqyrtohet në mbledhjet e ardhshme të organeve vendimmarrëse të Universitetit, te cilat do të dalin me një vendim përfundimar”, shkruhet në deklaratën e rektoratit, duke shtuar se universiteti Fan S. Noli vijon të jetë një institucion i arsimit të lartë në funksion të plotë të të gjitha detyrave dhe rolit te tij. “Senati Akademik, Bordi i Administrimit, Rektori, Rektorati dhe Dekanatet e tij vijojnë punën e tyre normale në të mirë të veprimtarisë akademike, si një institucion i arsimit të lartë që përmbush çdo pritshmëri dhe detyrim moral dhe akademik ndaj studentëve aktualë dhe atyre që do ta zgjedhin në vitet e ardhshme akademike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë