Ngjarje

‘Jemi të pambrojtur dhe të rrezikuar’/ Flasin fqinjët e 26 vjeçarit që humbi jetën nga tritoli: Katastrofë

Nga Gazeta Si - Vdekja e 26 vjeçarit, Enea Themollarit, i cili u plagos aksidentalisht 3 muaj më parë nga tritoli që shpërtheu korridorin e banesës së tij, ka traumatizuar më shumë fqinjët, të cilët kanë thënë për median se ndjehen të pambrojtur.

Tritoli shpërtheu në shtëpinë ku jetonin me qira Alda dhe Xhovana Nikolli, ngjarje për të cilën ato akuzuan Nuredin Dumanin. Megjithatë, ende sot nuk është zbardhur ngjarja dhe nuk janë identifikuar autorët.

Fqinjët e të ndjerit shprehin indinjatën e tyre për faktin se ende pas tre muajsh ngjarja është pa autor dhe se siguria jo rrallë lë për të dëshiruar.

“Shpresonim se do t’i mbijetonte të keqes. Ndjehemi të pambrojtur dhe të rrezikuar edhe brenda shtëpisë. Nuk dimë kë kemi ngjitur me apartamentin dhe se çfarë problemesh kanë me ligjin e grupet kriminale. Zoti na ruajt se sot të gjen e keqja ku nuk e pret”, shprehen banorët të lagjes “Haxhia” ku jetonte Enea.

“Autori nuk është kapur akoma, ja shteti jonë”, tha një nga fqinjët.

Të tjerë fqinjë janë të trishtuar për vdekjen e 26 vjeçarit, të cilin e përshkruajnë si një djalë të mirë dhe që ndihmonte familjen e tij.

“S’e besonim që do ndodhte kjo gjë. Çun babaxhan nga të gjitha anët. Ai e mbante shtëpinë, njëri pa fjalë. Të jesh në shtëpinë tënde të ndodhi kjo… katastrofë. S’ka më keq.”, tha një fqinj.

“Mjerë ai që e pëson, nga i keqi e pëson i miri. Keq na vjen shumë, djalë i ri. Mjerë nëna dhe baba”, u shpreh një tjetër.

“Shumë e dhimbshme. Të jetë tjetri në shtëpinë e vet dhe të gjejë vdekjen… Ka vuajtur 2-3 muaj në gjendje kome. S’e gjetën autorin, ato dy femrat ku ikën? Ato ikën, nuk jetojnë më këtu”, tha një nga fqinjët.

“Në prek shumë si ngjarje, çfarë të thuash. M’u mpi trupi”, thotë një tjetër.

29-vjeçari ndërroi sot jetë mbeti i plagosur rëndë nga shpërthimi i një sasie tritoli që ndodhi në hyrjen përballë apartamentit të tij në katin e katërt në Lagjen “Haxhias” të Elbasanit, në 14 korrik.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë