Rend dhe Ligj

Java që “varros” Gjykatën e Lartë. Në gusht, Vettingu me pushime

Fati i Gjykatës së Lartë është vendosur prej disa ditësh, por kjo javë e vulos përfundimisht atë, para se organet e Vettingut të marrin pushimet e gushtit. Gjyqtari Shkëlzen Selimi u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për lidhje të papërshtatshme, ndërkohë që të fundit trupa e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, që kanë mbetur pa mësuar fatin e tyre janë gjyqtarët Medi Bici dhe Artan Broci.

Bici doli para KPK-së në seancën dëgjimore publike dhe nga ajo që u përceptua në përfundim është se ai rrezikon shkarkimin, por për një tjetër arsye nga ajo e Selimit. KPK gjeti probleme tek deklaratat e pasurisë ndër vite të gjyqtarit, gjetje që duket se e kapën të papërgatitur edhe atë vetë.

“Prisja një rezultat tjetër nga KPK”, tha ai.

Për pasuritë e tij, Bici deklaronte si burim të ardhurat nga puna dhe ndihmën e vëllezërve emigrantë në Itali, por pa përcaktuar shumat e kontributit të secilit prej tyre. Sipas raportit të ILDKPI-së, Bici rezulton me pasaktësi, deklarim të rremë, fshehje dhe mosjustifikim të pasurisë.

Në bazë të këtij raporti, vendimi që pritet të merret brenda kësaj jave do të sjellë shkarkimin e gjyqtarit, duke e lënë Gjykatën e Lartë me 4 anëtarë në fund, praktikisht jashtë çdolloj funksioni, e për më tepër që ky numër mund të reduktohet në 3, pasi për gjyqtarin Edmond Islamaj, që e kaloi testin në KPK, Komisioneri Publik ka kërkuar rihetim të thelluar të dosjes.

Anëtarët e konfirmuar të Gjykatës së Lartë janë Xhezair Zaganjori, Edmond Islamaj dhe Ardian Dvorani, ndërsa në mëdyshje është edhe Artan Broci. ILDKPI dhe DSIK nuk kanë gjetur shkelje tek Broci, por KPK thotë se në hetimin administrativ ka probleme me pasuritë dhe dyshohet se në disa procese ka gjykuar në konflikt interesi, palë me të cilat ka bërë marrëveshje para, ose pas vendimeve gjyqësore.

Emri më i lakuar ka qenë Ardian Dvorani. Kalimin e tij, Partia Demokratike e ka quajtur si shembullin tipik të dy standardeve që ndjekin organet e vettingut. “Ardian Dvorani e kaloi vettingun pavarësisht se nuk justifikonte 99 mln lekë, pavarësisht lidhjeve me organizatat kriminale, apo të shkuarën si prokuror i regjimit komunist”, thotë opozita.

Të “djegurit” e vettingut deri më tani janë Admir Thanza, Tom Ndreca, Artan Zeneli dhe Shkëlzen Selimi. Ky i fundit, në seancën dëgjimore kërkoi pezullimin e procesit me pretendimin se në rastin e tij ishte shkelur Konventa e të Drejtave të Njeriut. Shkelja thotë se është bërë në rastin e publikimit të disa të dhënave sensitive dhe personale të tij, që kanë rrjedhur nga raporti i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar. Pikërisht tek punonjësit e kësaj drejtorie dyshon edhe vetë gjyqtari Selimi.

“Pasi u njoha edhe me vendimin e ndërmjetëm, çmoj qe vazhdimi i procesit bie ndesh me nenin 6 te Konventës së të Drejtave të Njeriut për proces te paanshëm. Siç e shpjegova dyshimi im nuk është te trupa, por te personat që kanë punuar me raportin e DSIK. Kanë nxjerrë sekret hetimor dhe unë s’jam vene ne dijeni. Ja kanë shitur një televizioni të dhënat sensivite”, deklaroi ai.

Pretendimi i Shkelzën Selimit lidhej me publikimin një ditë para seancës dëgjimore të një materiali nga ana e Top Channel, ku sipas dokumentave që kishte siguruar ky televizion, gjyqtari kishte lidhje me grupe kriminale në qytetin e Fierit dhe dokumentimi i këtyre lidhjeve është bërë nga Shërbimi Informativ Shtetëror në vitin 2011 përmes një përgjimi.

Duke parashikuar të gjithë skenarët, nëse Artan Broci e Medi Bici e kalojnë vettingun, në fund të procesit Gjykata e Lartë do të ketë vetëm 5 anëtarë, që do të duhet të plotësojnë trupat po me nga 5 anëtarë që kërkojnë kolegjet administrative, penale dhe civile, ndërkohë që nuk mund të thërrasë kolegjet e bashkuara.

Si u shua Gjykata Kushtetuese?

Në korrik të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese, megjithëse duhej të kishte nëntë anëtarë, në përbërje të saj kishte vetëm shtatë. Dy prej anëtarëve të tjerë u kishte përfunduar mandati dhe reforma në drejtësi e konflikti politik e kishin lënë pas dore zëvendësimin e tyre.

Në gusht të 2017, disa muaj para se të niste procesi i vettingut, gjyqtari Vladimir Kristo u dorëhoq. I zgjedhur si anëtar i Gjykatës Kushtetuese që në 2007, atij i kishte përfunduar mandati 9-vjeçar që në 2016, por kishte mbajtur detyrën për të mos futur këtë institucion në kolaps. Kristo bënte pjesë në listën e punonjësve të drejtësisë që nuk kishte dorëzuar formularin e vetëdeklarimit të pasurisë me arsyetimin se kishte mbushur moshën e pensionit.

Dorëheqja e Kristos la me gjashtë anëtarë Gjykatën Kushtetuese, në momentin kur në këtë institucion, Unioni i Gjyqtarëve kishte dorëzuar disa ankimime. Mes ankimimeve të dorëzuara në fund të muajit maj të 2017, kur vendi ndodhej në fushatë elektorale, ishte edhe ai për Vettingun, konkretisht pikën për verifikimin e lidhjeve të gjyqtarëve, apo prokurorëve “me persona të dyshuar për lidhje me krimin e organizuar sipas informacioneve konfidenciale dhe pa një vendim të formës së prerë”. Unioni këmbëngulte në atë kohë se ky përkufizim mund të çonte në vendime abuzive.

Vjeshta nisi me ethet e vettingut edhe më të forta. Në fund të muajit tetor, e mbledhur me gjashtë anëtarë, Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve. Ndërkohë, prej disa muajsh institucionet ndihmëse, si Inspektoriati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurisë, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Shkolla e Magjistraturës kishin nisur të dorëzonin tek trupat e vettingut dosjet e tyre për mbi 700 prokurorë e gjyqtarë.

Rivlerësimi niste pikërisht me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese në pararojë. Kryetari i kësaj Gjykate, Bashkim Dedja e dinte situatën e vështirë në të cilën ndodhej institucioni i tij dhe në dhjetor lëshonte alarmin. Deklaronte për mediat se Kushtetuesja po shkonte drejt kolapsit dhe kjo mund ta penalizonte Shqipërinë në Gjykatën e Strasburgut. Si zgjidhje propozonte që anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese të emëroheshin fillimisht dhe më pas t’i nënshtroheshin Vettingut. Thirrja e tij ra në vesh të shurdhër, ndërsa në Kushtetuese situata u bë akoma më kritike, kur në fund të janarit të këtij viti, Besnik Imeraj jepte dorëheqjen.

Procesi i vettingut nisi në muajt e parë të këtij viti. Në mars të këtij viti në sitën e rivlerësimit profesional, integritetit dhe pasurisë kaloi anëtari i parë i Gjykatës Kushtetuese. Emri i tij ishte Fatos Lulo. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në gjetjet e tij tha se Lulo nuk justifikonte pasurinë, konkretisht shuma deri në 200 mijë dollarë.

Por, më pas u shkarkuan Altina Xhoxhaj, Fatmir Hoxhaj, deri tek i fundit që KPK e gjeti me shkelje, Gani Dizdari. I vetmi që kaloi ishte Bashkim Dedja, që bashkë me Vitore Tushën janë dy anëtarët e vetëm të Gjykatës Kushtetuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë