Arsim

Java e parë e shkollës nis me ‘dhimbje koke’, mbi 40 nxënës në klasa, në qytetet e mëdha mësimi bëhet me turne

Nga Gazeta ‘Si’-Java e parë e vitit të ri shkollor, përveç gëzimit të fëmijëve në ditën e parë, për prindërit ka qenë një javë e shoqëruar me problematika që nisin që nga numri i nxënësve në klasa dhe deri tek oraret e mësimeve që këtë vit në disa shkolla do të jetë me turne.

Anisa, prind i një vajze, nxënëse e klasës së 8-të në shkollën 9-vjeçare “Emin Duraku” në kryeqytet thotë se prej gjashtë vitesh e kryen shkollën pasdite.

“Edhe këtë vit, na u bë me dije nga mësuesja kujdestare, ditën e parë të nisjes së shkollës, se mësimi do të jetë pasdite. Vajza do të mbarojë mesimin në orën 6:30 të pasdites dhe nuk e di se ku do e gjejmë kohën për të bërë mësimet apo ndjekur ndonjë kurs që kanë dëshirë”, thotë për Gazetasi.al, Anisa.

Sipas saj, kjo shkollë e dëmtuar prej tërmetit, prej 4 vitesh është ende në ndërtim, ndërsa pas saj duket se e ka radhën një tjetër shkollë ngjitur me të.

“Pas gjithë këtyre viteve sfilitje me oraret dhe turnet, e vetmja dëshirë që kam është që fëmijët të jenë te dy në një turn dhe paradite”, mbyll bisedën prindi i nxënëses së klasës së 8-të, në shkollën 9-vjeçare “Emin Duraku”.

Nga ana e saj, ministria e Arsimit ka pranuar shqetësimin e prindërve për nisjen e vitit shkollor me këto problematika.

Sipas saj, ka ende shkolla në ndërtim, si pasojë e dëmeve që pësuan nga tërmeti, dhe shumë të tjera në rikonstruksion, për shkak të amortizimit të ambienteve.

“Ndryshe nga vitet e tjera, numri i shkollave që kryejnë mësime me turne është ulur e megjithatë, edhe këtë vit të ri shkollor, në qytete të mëdha si Tirana e Durrësi do të ketë mësim me turne.

Arsyeja janë jo vetëm shkollat në rindërtim si pasojë e dëmtimit nga tërmeti, por edhe projektet e rikonstruksionit sipas grafikut të përcaktuar nga ministria”, thotë drejtoresha e arsimit parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Zamira Gjini.

Klasat kolektive, situata e njëjtë ndër vite

Por, përveç mësimit me turne, në disa zona të vendit, kryesisht zona ku shkollat ndodhen shumë larg vendbanimeve, nxënësit detyrohen të ndjekin mësimin në klasa kolektive, ku bëjnë pjesë nxënës të klasave të ndryshme.

Kjo formë e mësimit në klasa kolektive, ul cilësinë e mësimdhënies, e megjithatë, ndërtimi i shkollave të reja duket se është ende larg në këto zona kryesisht rurale, siç janë disa fshatra në qarkun Durrës e Tiranë, por edhe në zonat malore. Burime jo zyrtare thonë se për shkak të distancës së largët me shkollën në fshatrat fqinjë, janë detyruar të hapin klasa kolektive në ambiente të shkollës së fshatit që ofron vetëm arsimin bazë.

Klasa të mbipopulluara me mbi 40 nxënës

Një tjetër shqetësim që kanë ngritur prindërit në javën e parë të vitit të ri shkollor 2023-2024 është dhe mbipopullimi i klasave me nxënës.

Megjithëse vitin e kaluar, një vendim i qeverisë udhëzonte për një numër deri në 30 të nxënësve që ndjekin arsimin parauniversitar, duket se këtë vit ka patur klasa me mbi 40 nxënës.

“Në shkollën e vajzës sime, klasat janë me 44 nxënës. Një tmerr i vërtetë, imagjinoje një orë me mësimi me kaq shumë nxënës, edhe mësuesi e ka të pamundur të shpjegojë, edhe fëmija të nxërë nga shpjegimi”, thonë prindërit.

Por “më të lumturit”, me nisjen e vitit të ri mësimor, duket janë bizneset “After school” që janë përhapur shumë vitet e fundit, duke shfrytëzuar nevojën e prindërve për studimin e fëmijëve pas përfundimit të orës së mësimit.

Megjithëse një projekt nga bashkia e Tiranës u lançua 4 vjet më parë me titull “Bëjmë detyrat në klasë”, prindërit thonë se kjo nuk është zbatuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë